Shkupi e Sofja i zgjasin dorën njëra-tjetrës/ Nënshkruhet protokolli, shpresa se bullgarët më nuk do të bllokojnë

TË FUNDIT

U nënshkrua protokolli dypalësh mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Pas firmosjes në Sofje, ministri i Jashtëm Bujar Osmani në prani të homologes së tij në largim Teodora Gençovska, tha se shpreson se nga sot do të hapin një kapitull të ri të raporteve mes dy shteteve, duke filluar që nga qytetari më i thjeshtë e deri tek politikanët.

 “Presim përkrahje nga Republika e Bullgarisë në rrugën në të cilën fillojmë, në negociatat aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Në fjalimin e saj, ministrja në largim Gençovska u shpreh se Bullgaria mbështet fuqishëm integrimin e Maqedonisë në BE.

 “I urojmë suksese në rrugën që kanë dashur ta ndjekë prej kohësh. Shpresoj se me përpjekje të përbashkëta dhe me mbështetjen tonë do të arrijnë atje ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut dëshirojnë më së shumti, e ajo është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Suksese!”- pohoi Teodora Gençovska, ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Por pas nënshkrimit të protokollit, Gençovska e ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e Bullgarisë se nuk e njeh gjuhën maqedonase.

Plotësisht e respektojmë vendimin e Kuvendit popullor, sipas të cilit Bullgaria nuk e njeh atë gjuhë. Në kontekst të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së, ato kanë pozicionet e tyre dhe ne në asnjë mënyrë nuk mund t’i detyrojmë që ta pranojnë qëndrimin tonë. Por, pozicioni bullgar është i garantuar në të gjithë kornizën negociuese”- shtoi ajo.

Sipas Osmanit, për protokollin është punuar shumë me qëllim që bashkëpunimi të jetë më i ngushtë.

 “Të gjithë që kanë qenë të kyçur, maksimalisht kanë kontribuar që të ketë projekte, memorandume dhe dokumente me të cilat raportet mes dy shteteve tona hapin një kapitull të ri. Në të gjitha sektorët do të lidhen njerëzit, bizneset dhe institucionet e ndryshme me qëllim që bashkëpunimi të jetë i ngushtë, më i frytshëm e i bazuar në besim ndër veti si miq të ngushtë”- theksoi Osmani.

Gençovska theksoi se protokolli ka afate konkrete për zbatim dhe në kornizën negociuese janë të paraparë mekanizma që e kontrollojnë zbatimin e të njëjtit. Pra nuk është protokoll i thjeshtë dypalësh, sepse zbatimin e protokollit e mbikëqyrin edhe vendet anëtare të BE-së, shtoi ajo. Protokolli do të jetë pjesë e kornizës negociuese së Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe përmban masa për programet arsimore të historisë, gjuhës së urrejtje dhe kulturës.