Shkupi dhe Tetova betejat më të mëdha, Zaev: LSDM, BDI, PDSh dhe BESA bashkë në zgjedhjet lokale

TË FUNDIT

17, 24 ose 31 tetori? Në njërën prej këtyre datave do të mbahen zgjedhjet lokale, kurse deri atëherë qarkullojnë vetëm spekulime kush me kë do të bëjë koalicion dhe cilët do të jenë kandidatët. Por, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk ngutet.

“Ngadalë, dalëngadalë… do të shohim…”, tha Zaev.

E deri atëherë do t’i ndjekim kombinimet lokale. Siç duket, beteja më e madhe do të jetë për Tetovën dhe Shkupin, aty ku ka edhe më shumë kandidatë.

“Dihet kjo, në rrethin e parë shkojnë të gjithë, e pastaj mbështetemi mes vete në mënyrë të drejtë. Qytetarëve do t’ua lëmë që vetë ata të na tregojnë rrugën se kush duhet të zgjidhet në qytetin që e përmenda, Tetovën, por edhe në të gjitha qytetet e tjera”, shtoi Zaev.

LSDM-ja për komunën e Tetovës ka 5 kandidatë, 3 prej të cilëve janë shqiptarë, por emrat e tyre ende i mban në fshehtësi.

“Unë mund t’jua them këtë – pasi jam partner koalicioni, edhe me BDI-në, edhe me Besën, edhe me PDSH-në kemi koalicion. Bashkërisht do të dalim në zgjedhjet lokale. Normalisht, detajet nuk mund t’i zbulojmë, sepse nuk i dimë emrat, por pa dilemë i dimë parimet e lidhjes së koalicionit, e dimë solidaritetin”, tha Zaev.

Por, sekretari i përgjithshëm i Besës, Arianit Hoxha, thotë se nuk e kanë ndërmend të kyçen në koalicionin Zaev-Ahmeti.

“Ne jemi parti politike serioze që kemi pjesë e Qeverisë thuajse një vit dhe realisht ne i hyjmë shumë seriozisht garës në zgjedhjet lokale si parti politike dhe duam të shohim se pjesa e pushtetit që kemi bërë diferencën a do të reflektojë edhe në nivel të zgjedhjeve lokale, për të cilën ne jemi të bindur se do të reflektojë”, deklaroi Hoxha.

Pasi LSDM-ja dhe BDI-ja publikuan se do të bëjnë koalicion parazgjedhor, paralajmërim për bashkëpunim të tillë ka edhe nga VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni Ash/AAA.

BDI-ja, sipas anketave të realizuara konstatoi se kryetarja Teuta Arifi rreshtohet lart, gjë të cilën e konfirmoi edhe vetë lideri i partisë, Ali Ahmeti. Lëvizja Besa deklaroi publikisht se kandidati i tyre për Tetovë do të jetë kryetari i partisë, Bilall Kasami, kurse PDSH-ja e zyrtarizoi kandidaturën e ish-kryetarit Sadi Bexheti.

VMRO-DPMNE-ja tashmë llogarit në fitore në disa komuna më të mëdha, kurse Hristijan Mickoski ia zgjati dorën Mitko Jançevit si kandidat për komunën e Kavadarit.

Kanë mbetur edhe dy muaj deri në dorëzimin e kandidaturave zyrtare, kurse derisa të ndodhë kjo kalkulimet do të vazhdojnë.