Shkup-Bllacë, ende punohet në dy kilometrat e para/ Grubi publikon video të projektit përfundimtar

TË FUNDIT

Kjo është zona e ndërtimit ku po punohet në autostradën Shkup-Bllacë. Dy kilometrat e para ende nuk kanë përfunduar, ndërkaq intensiteti i punimeve mund të shihet nga pamjet në vazhdim.

Edhe pse pjesa e parë ende nuk është gati, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, në profilin e tij në Facebook publikoi një video se si do të duket projekti përfundimtar nga kufiri deri në qarkore, duke shtuar se tashmë janë në fazën e përgatitjes së tenderimit.

Projekti parasheh që autostrada në njërën anë të ketë 6 tunele, e në anën tjetër të rrugës 5 tunele. Gjatësia e gjithë këtyre tuneleve do të jetë diku 2.2 km.

Për zvarritjen e punimeve drejtori i NP “Rrugët shtetërore” Ejup Rrustemi foli në Click Plus më 21 shtator.

“Kur nuk punon diçka, kur nuk jep kontributin e mjaftueshëm, kur nuk angazhohesh 100 % në këtë proces… Po për këtë paguheni. Kur nuk e jep maksimumin dhe ne që e japim maksimumin që të realizojmë të gjitha premtimet e kryetarit tonë ndodh ndonjëherë që edhe përtej mundit që jep të ndodhin probleme reale që nuk mund t’i tejkalojmë, ato janë probleme të cilat duhet të realizohen dhe janë reale. Kur bëjmë fjalë për ndërtimin e rrugëve të këtilla, ne duhet të kemi parasysh se si është projektuar, çfarë projekti kemi dhe si do të bëhet realizimi i tyre.”- deklaroi Ejup Rrustemi – Drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Premtimi i fundit nga autoritetet është se pjesa e parë do të përfundojë në mars të vitit 2023.