Një infermiere nga Shtëpia e Shëndetit, Kumanovë së fundmi është diagnostikuar me Covid-19. E gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe tre raste të punonjësve shëndetësorë të infektuar me koronavirus, një infermiere dhe dy teknikë, njofton drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë, Arif Latifi. Ai tha se deri tani me virusin korona janë të prekur 18 punonjës shëndetësorë.
Sipas të dhënave tona janë afër 18 punonjës shëndetsor prej tyre tre mjekë, të tjerët janë personel i mesëm mjeksor, si motra dhe teknolog të rentgenit, tha Arif Latifi, Drejtor i QSHP, Kumanovë.
Që kur nisi pandemia në vend, në Kumanovë deri tani janë marrë 600 mostra nga qytetarët për tu testuar nëse kanë Covid-19, ndërkaq vetëm gjatë ditës së sotme janë testuar 70 persona. Latifi tha se ka teste të mjaftueshme në Kumanovë dhe shpjegoi metodat e testimit.
Ne kemi disa mënyra të kontaktimit të këtyre pacientëve, mënyra e parë është nëpërmjet mjekëve amë, sot i kemi pasur 10 pacientë prej mjekëve amë. Mënyra e dytë perspneli mjeksor shkon nëpër shtëpi për të marrë strishot pacientëve të cilët janë me rrezikshmëri të lartë, nga kontaktet me pacientët që janë bartës të këtij virusi dhe mënyra e tretë skrining masiv. Sot kemi bërë rreth 50 testime në spital të punonjësve shëndetsor të cilët kanë qenë në kontakt, me pacientët që janë bartës të atij virusi, tha Arif Latifi, Drejtor i QSHP, Kumanovë.
Sot janë shënuar edhe 8 raste të reja me Covid-19 në Kumanovë, e numri i përgjithshëm ka shkuar në 122.
Drejtori i Qendrës për shëndet publik, Arif Latifi tha se pritet që dy javët e ardhshme të jenë kritike në Kumanovë dhe të rritet numri i të infektuarve. Ai luti qytetarët që të jenë të sinqertë gjatë deklaratave te mjekët, mos të fshehin nëse kanë simptoma ose kanë qenë në kontakt me persona të prekur me korona dhe i porositi të qëndrojnë në shtëpi.
Ndryshe Qendra për shëndet Publik, Kumanovë është e vetmja në rajonin verilindor, e në këtë Qendër punojnë vetëm dy epidemiolog. Në ndihmë i dalin njësitë rajonale të këtij intituti, ajo në Kriva Pallankë që disponon me vetëm një epidemiolog dhe njësia rajonale në Kratovë që poashtu ka vetëm një epidemiolog.
Latifi tha se po ia dalin mbarë edhe me ekip edhe me veshje dhe mjete mbrojtëse.
