Shkollat fillore në Nju Delhi do të mbyllen nga e shtuna, ndërsa po merret parasysh edhe kufizimi i qarkullimit rrugor, pasi niveli i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Indisë është ende i lartë, njoftuan sot autoritetet.
Përqendrimi i grimcave PM 2.5 që vendoset në mushkëri në Nju Delhi është shumë më i lartë se udhëzimet e sigurisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), me shifra të regjistruara në shumicën e stacioneve matëse afër ose mbi 400, që është në kategorinë e “ndotje e rëndë” ose “e rrezikshme”, raporton Reuters.
“Duke filluar nga nesër mbyllim të gjitha shkollat fillore në Nju Delhi. Po anulojmë edhe aktivitetet e shkollave në natyrë”, njoftoi ministria përkatëse në një konferencë për shtyp, duke theksuar se po shqyrtohen kufizimet në qarkullimin rrugor për shkak të ndotjes.- Advertisement –
Vendimi për mbylljen e disa shkollave erdhi pasi prindërit e shqetësuar dhe ambientalistët dolën në mediat sociale për t’u bërë thirrje autoriteteve të marrin në konsideratë ndikimin e ndotjes tek fëmijët.
Zyrtarët në Noida, një periferi e Nju Delhit, urdhëruan të enjten të gjitha shkollat të mbajnë klasa në internet për studentët deri në klasën e tetë.
Nju Delhi është një qytet me rreth 20 milionë banorë dhe kryeqyteti më i ndotur në botë.
