Qeveria vazhdoi deri më 12 tetor masën për uljen e TVSH-së për naftën

TË FUNDIT

Qeveria e vazhdon masën me të cilën TVSH-ja për naftën ulet nga 18 në 10 për qind deri më 12 tetor, njoftoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, përcjell TV21. Sipas Dimitrieska-Koçoskës, me këto masa Qeveria vazhdon të mbrojë standardin e qytetarëve dhe stabilitetin e ekonomisë vendase.

“Me vazhdimin e kësaj mase ndikojmë drejtpërdrejt në çmimet me pakicë të karburanteve dhe kufizojmë bartjen e presioneve të jashtme të çmimeve mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Reagojmë në kohë dhe me përgjegjësi, duke ndjekur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe duke marrë masa kur është e nevojshme për të mbrojtur standardin e qytetarëve”, shkroi Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në Facebook.

Masa me të cilën TVSH-ja për naftën u ul nga 18 në 10 për qind filloi të zbatohet më 15 shtator, me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët.

Komisioni Rregullator për Energjetikë sot pritet të përcaktojë çmimet maksimale të karburanteve që do të vlejnë gjatë shtatë ditëve të ardhshme.