Shkolla e Vizbegut gati, por nuk po hapet/ Bytyqi thirrje Kostovit: Përshpejtoje procedurën

TË FUNDIT

Ka kohë që objekti i shkollës fillore të Vizbegut është ndërtuar, por ende nuk po i hap dyert për nxënësit. Ndonëse gjithçka është gati, fjalën tani e ka Komuna e Butelit që ta lëshojë shkollën në funksion. Aty sot shkoi zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, nga ku i bëri thirrje Kryetarit të kësaj komune Darko Kostovskit, që ta përshpejtojë procedurat ligjore të nevojshme.


“Që kjo të bëhet e mundur, që të operojë, kërkoj nga kryetari i komunës së Butelit, që të përgatit të gjithë dokumentacionin, që të ketë mundësi që në shtator fëmijët të hyjnë në këtë shkollë, që do të thotë përgatitja e stafit administrativ për shkollën dhe të gjitha procedurat ligjore të nevojshme.”- deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër.

Me që shkolla nuk po hapet, Bytyqi u pyet se për çfarë arsye po e viziton objektin dhe se a po bën fushata parazgjedhore.
“Unë këtu kam qenë dy herë në mandatin tim, këto 3 vite e gjysmë, dikur kur kjo ishte fushë, njëherë kur sapo ishte gërmuar dhe doja që të shoh me në fund, atë që e themi për dikë larg, siç janë fëmijët e Çashkës, nëse këtu në komunën Butel që unë gravitoj, jetoj, e marrin atë që dikush është dashur para 30 viteve ta bëjë dhe nuk e ka bërë kjo është arsyeja e ardhjes sime, fushata parazgjedhre fillon diku në Prill ka kohë deri atëherë.”- deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër.

Pyetëm kryetarin e Komunës së Butelit se pse ende nuk po hape shkolla, por nuk morëm përgjigje. Në deklaratën e tij të fundit ai tha se nuk është pranuar pranimi teknik. E sot Biljana Kazanxhiska, sekretare në Ministrinë e Arsimit, deklaroi se është pranuar pranimi teknik, ndërsa tani pritet të përfundojnë procedurat ligjore për emërimin e drejtorit nga ana e kryetarit të komunës së Butelit.
Ndërkohë sot gjatë ditës përmes një fotografie në facebook, Kostov njoftoi se është emëruar drejtori i shkollës së Vizbegut.

“Sot emërova profesorin e historisë Kadri Elezi për drejtor të shkollës së re fillore komunale “Vizbeg”.
Kadriu do të ketë detyrë në një nivel të lartë profesional të gjërat në shkollë dhe të zbatojë të gjitha procedurat për të filluar mësimin.”- tha DARKO KOSTOVSKI – Kryetar i Komunës së Butelit.

Derisa shkolla të nisë me punë, fëmijët e Vizbegut do të jenë të detyruar ta ndjekin mësimin nëpër komuna tjera.