Shkolla e Tekstilit në Tetovë drejt objektit të ri! Kasami: Deri në fund të vitit do ta përurojmë shkollën e re

TË FUNDIT

Shkolla e mesme e tekstilit ne Tetovë vitin e ardhshëm do të bëhet me objekt të ri. Faza e parë e punimeve të objektit tashmë ka përfunduar. Nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë, sipas kryetarit të komunë Bilall Kasami, objekti do të përfundojë pas pesë apo gjashtë muajsh.

“Shkolla e mesme e tekstilit po punohet, po ndërtohet në kuadër të dinamikës së paraparë në bazë të kontratës. Urojmë, nëse nuk do të ketë ndonjë, të thosha kështu, situatë e jashtëzakonshme, që deri në fund të vitit të jetë e gatshme”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Drejtori i shkollës pret që vitin shkollor 2026/2027 ta fillojnë në objektin e ri, pasi për momentin mësimin janë duke e zhvilluar në shkollën fillore “Besa” në Reçicë të Vogël.

“Shiko, automatikisht këto ditë më duket se ka përfunduar faza e parë. Tash duhet të fillojë faza e dytë. Unë besoj që për katër muaj, eventualisht më së shumti pesë muaj, do të përfundojë edhe faza e dytë. Dhe besoj nxënësit e vitit të ri shkollor, 2026/2027 do të sistemuan në shkollën e re. Duke e ditur që ne jemi në një shkollë fillore, pra ‘Besa’, edhe pse kushtet janë të mira, por besoj që shkolla do të jetë e gatshme, apo kompania që e ka marrë do të jetë e gatshme që të gjithë nxënësit përsëri të kthehen te shkolla e tyre, konkretisht tashmë në shkollën e re”, u shpreh Muzafer Livoreka – drejtor i Shkollës.

Për ndërtimin e kësaj shkolle komuna mjetet i ka siguruar nga kredia Hungareze, në total 5 milionë euro apo 308 milionë denarë. Për fazën e parë janë siguruar 148,5 milionë denarë nga mjetet e Qeverisë për investime kapitale për komunat, ndërsa 2,2 milionë denarë nga buxheti i Komunës së Tetovës.