“Shkojmë për fitore në Itali”, futbollistët fluturuan për në Palermo

TË FUNDIT

“Futbollistët e përfaqësueses së Maqedonisë nga aeroporti i Shkupit sot fluturuan për në Palermo ku do të përballen me Italinë e Roberto Mancinit”, raporton gazetari i TV21, Artan Nuhiu.

Të përzgjedhurit e trajnerit Bllagoja Milevski stërvitjen e fundit në Shkup e zhvilluan në mëngjes para nisjes për në Itali. Ata e dinë se më kë do të përballen, por nuk kanë frikë. Premtojnë se do të japin gjithçka nga vetja.

“Për ne kjo është ndeshja më e rëndësishme deri tani, për gjithë përfaqësuesen, për gjithë lojtarët. Po përgatitemi mirë, po mendojmë për ndeshjen dhe shkojmë për fitore në Itali”, thotë Stole Dimitrievski, trajner .

“Besoj në këtë ekip, besoj në bashklojtarët e tanë se do të arrijmë ta gëzojmë Maqedoninë. Do të japim maksimumin tonë që të arrijmë deri në rezultat pozitiv”, tha Aleksandar Trajkovski, futbollist.

Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Normal luajmë kundër një Italie që është kampion Evrope. Kemi një ekip mjaft të mirë dhe mendoj që mund të japim në ato 90 minuta që janë lojë, të japim gjithçka nga vetja që të nxjerrim më të mirën nga prej secilit nga ne”, tha Enis Bardhi, futbollist.

Nuk do të jetë e lehtë të ndalen sulmues si Insigne ose Berardi, por trajneri Bobi Milevski ka paralajmëruar lojë ofenzive.

“Sinqerisht ky ekip i Maqedonisë nuk di të mbrohet. Jo nuk di, të mos keqkuptohemi, por nuk rreshtohet vetëm në mbrojtje dhe të luan lojë pasive, atë e kemi treguar në 7 ndeshjet që i kemi luajtur në këto kualifikime. Intenca e këtij ekipi është të tregojë dominim në lojë”, vlerëson trajneri Bllagoja Milevski.

Ndeshja e balotazhit Itali-Maqedoni zhvillohet të enjten në orën 20:45 dhe aty do të vendoset se cila përfaqësuese do të vazhdojë rrugën drejt kualifikimit të Kampionatit Botëror Katar 2022. Fituesi i kësaj ndeshje do të përballet me fituesin e ndeshjes tjetër Portugali-Turqi.