Shkelje që ditën e parë, kush do të dënohet?! “Inspektorët s’mund të kërkojnë letërnjoftime në kafene”

TË FUNDIT

As dita e parë e hapjes së kafeneve nuk i shpëtoi shkeljes së protokollit, sepse nëpër tavolina vëreheshin nga tre persona, përkundër rekomandimeve që të jenë vetëm nga 2. Në një tavolinë mund të ulen 4 veta, vetëm në rast se janë familjarë.

Shkelje kanë vërejtur edhe inspektorët, por nuk kanë shqiptuar gjoba, pasi siç sqaroi kryetarja e Këshillit Inspektues, Magdalena Filipovska Grashovska dhjetë ditët e para do të jenë aksion informativ edukues.

“Është planifikuar që gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, do të thotë një javë e gjysmë duke filluar nga sot ekipet të realizojnë vizita informative dhe t’i edukojnë personat hotelierik”, tha Magdalena Filipovska Grashovska, kryetare e KI-së.

Inspektorati s’ka të drejtë as t’ua kontrollojë letërnjoftimet klientëve për të parë se a janë ose jo të një familje, sqaroi më tej drejtori i Inspektoratit të Tregut, Stojko Paunovski.

“Protokollet janë miratuar që të realizohen nga hotelierët dhe ata janë përgjegjës të kërkojnë letërnjoftime”, tha Stojko Paunovski, drejtor i IT-së.

Por kur TV21 pyeti nëse me hapjen e kafeneve dhe me mos respektimin e protokolleve mund të rritet numri i rasteve të reja të të infektuarve nga Kovid-19, retorika e Paunovskit u ashpërsua.

“S’ka këtu dhjetë ditë dhe ato dhjetë ditë do të jenë kush si të dojë të punojë. Kjo nuk është e mundur. Sigurt do të punojmë në parandalimin e atyre individëve të cilët do të duan ta realizojnë atë”, tha Stojko Paunovski, drejtor i IT-së.

E paqartë gjithashtu mbetet se çfarë nënkupton protokolli me “familjarë”, ata që jetojnë në një shtëpi, apo ata që kanë lidhje farefisnore e që jetojnë në shtëpi të ndara.