Shkarkohet Arben Ziberi! Filipçe: Askush nuk duhet ta politizojë punën e komisionit

TË FUNDIT

Shkarkohet nga detyra drejtor i Qendrës për Shëndet Publik në Shkup, Arben Ziberi. Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet emailit zyrtar kanë informuar për shkarkimin e tij dhe njoftojnë se në vendin e tij do të kalojë epidemiologu Aleksandar Stojanov.

-“Ziberi është shkarkuar për shkak të plasimit të deklaratave të pasakta në publik me çka drejtpërdrejt dëmtoi imazhin e anëtarëve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, duke e vënë në pikëpyetje kredibilitetin e institucioneve në luftën kundër virusit korona”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.

Për shkarkimin e Ziberit u deklarua ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce. Ai tha se vendimet e Komisionit për Sëmundje Infektive kanë qenë gjithmonë të bazuara në njohuri shkencore dhe mjekësore, duke theksuar se nuk do të lejojë askënd për pikë politike ta politizojë punën profesionale të komisionit.

“Shkarkimi vjen si pasojë e deklaratës së tij në lidhje me punën e Komisionit me të cilën vlerësoj se e minoi imazhin e anëtarëve të Komisionit të cilët gjatë gjithë kësaj periudhë kanë punuar duke u  udhëhequr nga principe profesionale. Vendimet që kanë ndërmarrë kanë qenë në bazë të njohurive mjekësore, epidemiologjike dhe vlerësoj se askush nuk duhet të politizojë dhe të fitojë pikë politike në çështje kaq të ndjeshme”, tha Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Arben Ziberi i është kundërpërgjigjur ministrit të Shëndetësisë, duke e konsideruar shkarkimin e tij si një turp të madh.

-“I kam shërbyer këtij vendi dhe qytetarëve, me besnikëri dhe përkushtim të madh. Të gjithë që më njohin mua dhe punën time, e dinë këtë. Fatkeqësisht, ministri i shëndetësisë dhe partia e LSDM-së së cilës ai i takon, zgjodhën ta kufizojnë të drejtën time për tu shprehur dhe kaluan në një fushatë hakmarrjeje. Sjellja e LSDM-së është një turp i madh. Unë prisja integritet më të madh dhe sjellje më morale nga njerëz që synojnë të udhëheqin me vendin”! Tha Arben Ziber, ish drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.

TV21 kontaktoi Ziberin, i cili tha se është i njoftuar me shkarkimin por jo në mënyrë zyrtare dhe do të ketë paraqitje për mediat. Shkarkimi i Ziberit vjen si pasojë se para një dite Ziberi në Facebook-un e tij kishte shkruar se si anëtar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse ka ndikuar që të hapen kufijtë pa kushte që t’ua hapte rrugën mërgimtarëve për t’u kthyer në vendlindje për të votuar për kandidatin për kryeministër që e propozoi partia nga ku vjen ai.