Reshjet e shiut mund t’i gëzojnë bujqit, por jo edhe disa shkupjanë të cilët çdo herë që bie shi i sheh me fshesa dhe kova duke larguar ujin nga shtëpitë dhe duke pastruar kanalizimet.
Banor: “Qe Qyteti i Shkupit çfarë bën, rruga e Plastikëve, vërshime.”
Në këtë gjendje ishte edhe te Bulevardi “Nikolla Karev” dhe “Jordan Mijallkov”. Në të dy bulevardet është punuar kohës së fundit nga Qyteti i Shkupit, por si duket me kanalizimin diçka nuk shkon.
Disa qytetarë që i intervistoi TV21 thonë se problemin me kanalizimin e kanë që një kohë të gjatë, por që kur u ndërtua bulevardi “Nikolla Karev” ajo është përkeqësuar më shumë. Dyshojnë se në fillim të bulevardit është bllokuar rrjeti, prandaj uji nuk thithet nga kanalizimi.
Banor: “Edhe më herët ka qenë i njëjti problem, por tash kohën e fundit a është bërë ndonjë gabim atje poshtë kur është lidhur, uji që po bie me gjithë kanalizimin po mblidhet dhe po ecë në rrugë.
A po ju hy nëpër shtëpi?
“Jo, nëpër shtëpi nuk na hyn, por po mblidhet shumë dhe po shkon në lagje tjera.. sidomos një mëhallë që është këtu, krejt po shkon aty e po mblidhet uji. Shumë mirë që u bë rruga, se çfarë është bërë një gabim, nuk e di.”
Banor: “Tash e kanë rregulluar shumë mirë, por unë atëherë, kur patëm qenë në mbledhje ju pata thënë, se prej Buteli çfarë vjen, prej Serove që vjen, prej Shutkës që vjen, krejt me një vend lidhen. Tre vende me një vend kur po bëhen, dhe kur po vjen ky uji prej poshtë, uji mblidhet shumë. Prej lagjes së romëve qysh vjen uji, me mbeturina dhe krejt mbushet këtu dhe shkon te kjo lagjja. Unë ka 40 vjet që jam këtu, kurrë kështu s’është bërë më herët, tash po ndodh ky problem.”
Por kryetari i Shkupit, Petre Shilegov nuk mendon se ka gabime gjatë punimeve në bulevardet. Sipas tij, grumbullimi i ujit ka ardhur si rezultat se ka pasur reshje intenzive.
“Nuk bëhet fjalë për gabim apo problem, sërish ju them që kur ndaluan reshjet, për 10 minuta sistemi vetë e tërhoqi ujin”, tha Shilegov.
Problem kanë edhe lagjet e tjera të Çairit, pasi kanalizimi u kthen në shtëpi kjo për shkak të stëngrarkimit të kanalizimit në lagje. E problemet me kanalizimin pas reshjeve të shiut po ju nxjerr punë edhe shërbimeve të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, të cilët gjatë tërë mesnatës dhe paradites pastronin puset.