Pasi kanë realizuar të drejtën e votës, aktivistët e fushatës “mos u bëj mbeturinë” morën fshesat dhe lopatat dhe dolën për të pastruar.
“Sot është ditë e diel, në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ndërkaq disa qytetarë, kanë dalë dhe po zhvillojnë një aksion pastrimi, pranë Qeverisë”, Almedina Ismajli, gazetare.
Filipi është 19 vjeç dhe që tre muaj është kyçur në fushatën e pastrimit “Mos u bëj mbeturinë”. Ai thotë se përveç se kontribuon në pastërtinë e vendit edhe kënaqet gjatë këtyre aktiviteteve. Ai i fton që të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e aksioneve të këtilla dhe mos të hedhin mbeturina.
“Shoqërim, argëtim, njëherit edhe pastrojmë nëpër terren siç po e shihni, duam ta ngrisim vetëdijen në nivel më të lartë. Pa marrë parasysh moshën, të gjithë hedhin mbeturina, nuk e di pse, por hedhin”, tha Filip Antov, aktivist.
Për shkak të motit me shi, kësaj iniciativës së pastrimit nuk iu bashkëngjitën shumë qytetarë, por me gjithë atë kishte të tillë që i përveshën mëngët dhe filluan të mbledhin mbeturinat në parkun e Qeverisë, ku kishte mbeturina të shumta dhe të ndryshme.
“Po së pari isha ta kryej obligimin tim si qytetare dhe tani jam në aksion pastrimi “Mos u bëj mbeturinë” para Qeverisë. Posaçërisht inspektorët të dënojnë më shumë, ndryshe nuk do të rritet vetëdija te qytetarët”, u shpreh Latife Shikovska, aktiviste.
Irena dërgon apel deri te qytetarët që të bëhen më të vëmendshëm ndërkaq edhe porositi të punësuarit në Qeveri, që mos të hedhin mbeturina në Park, ngaqë siç tha ajo, disa herë kanë pastruar këtë zonë.
“Po pak më e vështirë se ditëve të tjera, ngaqë është toka e lagur nga shiu. Kohës së fundit më gëzon fakti që shumë të rinj apo studentë të vitit të parë dhe të dytë, po përfshihen në aksion pastrimi. Një apel deri te të punësuarit në Qeveri, të cilët e shfrytëzojnë këtë parking. Të mos i pastrojnë makinat këtu në park, por mbeturinat t’i mbledhin nëpër qese dhe t’i hedhin ku e kanë vendin”, theksoi Irena Ristiq, aktiviste.
“Mos u bëj mbeturinë”, me datë 12 maj planifikon të pastrojë te Parku i Qytetit me datë 19 në Kriva Pallankë dhe me datë 26 në Strumicë. Aktivistët porosisin, #Mosubëjmbeturinë, dil edhe t’i të pastrosh!
Përgatiti: Almedina Ismajli
