Shifra jo të mira për shpenzimet kapitale! Por më keq është që po vonohet me shpronësimin për korridoret

TË FUNDIT

Investimet kapitale prej të cilave varet cilësia e jetesës së qytetarëve por edhe bizneseve, për shkak se me to ndërtohen rrugë, ambulanta, çerdhe, shkolla, objekte energjetike, kanë dy shifra të ndryshme. Njëra është se në vitin 2024 76.8% e investimeve kapitale janë realizuar, ndërsa shifra tjetër është 64% e parave të destinuara për këtë qëllim janë shpenzuar. Ministria e Financave operon me shifrën më të lartë, ndërsa dallimi ka të bëjë me atë që tashmë disa vite këto investime nuk llogariten në bazë të planifikimit me rebalancin e buxhetit, por në bazë të parave të mbetura në fund pas ridestinimit të mjeteve të pashfrytëzuara.

INVESTIMET KAPITALE TË PLANIFIKUARA ME REBALANC
727 MILIONË EURO
PJESA E MBETUR PAS SHPËRNDARJES
607 MILIONË EURO (120 MILIONË EURO MË PAK)
TË REALIZUARA NË FUND TË VITIT 2024
466 MILIONË EURO
PËRQINDJA E REALIZIMIT PAS SHPËRNDARJES: 76.8%
NËSE LLOGARITET NGA REBALANCI: 64%

Për ministren e Financave që të dy shifrat janë të mira për shkak se janë reale. Theksoi se nuk janë të fryra në mënyrë artificiale që të jenë afër 100%. Realizimi më i dobët ka të bëjë me atë që ka pasur obligime të pakryera për Korridorin 8 dhe 10 D.

“Shumë mirë e dëgjuat Drejtorin për çështje pronësore juridike i cili ju tha se për më pak se 4 muaj të plotë janë punuar 3500 lëndë për shpronësim në lidhje me ato korridore. Ja këtu është problemi, ne nuk mundeshim më shumë se aq të punojmë, po të ishin të përfunduara siç supozuam që ishin, kur në korrik e bëmë rebalancin e buxhetit, atëherë të punësuarit na bindnin se janë të përfunduara, janë gati etj”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska.

Për momentin nuk dihet sa lëndë do të ketë në të ardhmen për shpronësimin e pronave të cilat gjenden në këto korridore, për shkak se nuk ka trase të hartuara. Përndryshe për t’u vlerësuar se po udhëhiqen politika të mira ekonomike, investimet kapitale duhet të jenë më të larta se deficiti buxhetor, i cili në vitin 2024 ishte 684 milionë euro apo 218 milionë më shumë nga paratë e shpenzuara për investime kapitale.