Komisioni për parandalim të korrupsionit u ballafaqua me abuzim të balancuesit gjatë punësimit. Ky institucion në mars ka shpallur konkurs për punësim të 13 nëpunësve në administratë prej të cilëve, dy kandidatë që kanë konkurruar për disa pozita, për përkatësinë e tyre etnike janë prononcuar sipas kërkesave brenda konkursit. TV21 tashmë ka njoftuar për disa shembuj për punësime në institucionet shtetërore sipas përkatësisë etnike, ku maqedonas janë paraqitur në konkurs si shqiptarë, romë apo turq.
“Personi P.B. është maqedonas, është ranguar dhe i propozuar si kandidat më i mirë për vendin e punës i cili ishte i paraparë për rom, ndërsa personi A.P. është shqiptar, i ranguar dhe i propozuar si kandidat më i mirë për një vend të punës së paraparë për t’u punësuar turk. Propozoj që kundër personave P.B. dhe A.P. të ngrihet iniciativë për procedurë disiplinore për përndjekje penale“, tha Nuri Bajrami, anëtar i KSHPK.
Edhe Kuvendi dhe të gjithë aktorët politikë duhet menduar nëse është koha që të shfuqizohet balancuesi sepse tani situata nuk është si në të kaluarën kur për gjithçka duhej të kishte kuota.
“Këtë që e pashë në konkursin tonë, do të thotë se të gjithë ne gjetëm një mënyrë që të mund të konkurrojmë me 5, 6 përkatësi të ndryshme etnike dhe askush nuk mund të na bëjë asgjë. Andaj përkrah që të shfuqizohet balancuesi dhe të mendohet të mos ketë kuota dhe garanci. Është koha që në skenë të vijë cilësia“,tha Goran Tërpenovski, anëtar i KSHPK-së.
Para pak kohe kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë tha se Balancuesi është vendim politik i shtetit por se duhet të ndërtohet një sistem ku do të flitet për cilësi dhe avancim të shërbimeve të sektorit publik.
