Qeveria ka sjell vendim që nga e premtja, 26 qershor, pa asnjë kusht të hyhet në Maqedoninë e Veriut nëpër të gjitha pikat kufitare. Kjo nënkupton lëvizje të papenguar të udhëtarëve dhe automjeteve, pa iu nënshtrua testit PCR dhe izolimit shtëpiak ose karantinës së detyrueshme shtetërore.
“Bazuar në rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektive, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 72-të me radhë vendosi që të premten, 26 Qershor 2020, të hapen plotësisht të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizje pa pengesa të udhëtarëve dhe automjeteve, pa test PCR dhe pa izolimit shtëpiak ose zbatim të karantinën së detyrueshme shtetërore”, u kumtua nga Qeveria.
Qeveria ka sjellë vendim edhe për hapjen e aeroporteve të Shkupit dhe Ohrit, të cilave u ka dhënë hapësirë një javë që të bëhen gati për funksionim.
“Qeveria solli vendim që nga 1 korriku, e mërkurë, të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostol Pavle” në Ohër”, u kumtua nga Qeveria.
Vendkalimet tokësore Maqedionia e Veriut i mbylli me 17 mars për shkak të përkeqësimit të situatës me virusin korona. E fluturime nga Aeroporti i Shkupit nuk kishte nga data 18 mars.
Qytetarët tanë mund të lëvizin pa pengesa drejt Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë. Ndërsa në pikëpyetje është hapja e kufijve të Greqisë dhe Bullgarisë për shtetin tonë.
Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, përkundër rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Evropian që këto kufij të hapen me këtë datë.
