Shfuqizimi i qeverisë teknike  ashpërson skenën politike! A mund të ketë krizë të re politike pas paralajmërimit të LSDM-së për hapa të tjerë?

TË FUNDIT

A po hapet rruga për një krizë të re politike në vend pasi kryetari i LSDM-së Filipçe kërcënoi se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në grupin e punës për Kodin Zgjedhor nëse shfuqizohet qeveria e Përzhinës, duke paralajmëruar edhe hapa të tjerë politikë. Por kryeministri Mickoski nuk i dha peshë këtij ultimatumi dhe tha se grupi i punës do të funksionojë edhe pa LSDM-në, duke e nxehur edhe më shumë skenën politike, gjë që hap mundësi për pasoja në prag të reformave zgjedhore. Shfuqizimi i qeverisë teknike është rrezik serioz për procesin demokratik dhe çon drejt manipulimit zgjedhor, vlerësoi Filipçe.

“Pyetja e vërtetë është pse kjo qeveri insiston të shfuqizojë qeverinë e Përzhinës? Kjo është pyetja e vërtetë. Pse nëse ajo është garanci për zgjedhje të drejta dhe demokratike? Pse u pengojnë përfaqësuesit opozitarë në qeveri gjatë zbatimit të zgjedhjeve? Kjo është pyetja e vërtetë. Dhe përgjigjen e dimë paraprakisht. Sepse duan të bëjnë manipulim zgjedhor. Këtë duan të bëjnë. Kontroll të plotë të sistemit”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së .

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se LSDM dhe Filipçe vazhdimisht kundërshtojnë gjithçka që është reformë e Qeverisë dhe me këtë nuk bëjnë asgjë të mirë për vendin.

“Filipçe u tërhoq nga qëndrimi, më saktë nga kërcënimet që i tha deputeti Mitko Trajçuleski, se do të dilnin nga Kuvendi nëse do të hiqej qeveria teknike. Tërheqja është, ndoshta, një gjë për të cilën mund të themi se është e mirë, sepse LSDM po kthehet në idenë origjinale për heqjen e qeverisë teknike. Por ka një fakt të qartë, dhe ai është se Filipçe dhe LSDM nuk po arrijnë në asnjë mënyrë të lëvizin në drejtim për të bërë diçka të mirë për Maqedoninë”, theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Analistët politikë Petar Arsovski dhe Vladimir Bozhinovski në emisionin “Clik plus” në TV21 vlerësuan se nevoja për qeverinë teknike tashmë është tejkaluar dhe se ka ardhur momenti që ajo të hiqet, me vërejtjen se duhet të ruhen mekanizma për parandalimin e abuzimeve eventuale zgjedhore. Ndryshimet e propozuara në ligjin për Qeverinë me të cilat parashikohet heqja e qeverisë së Przhinos e kaluan filtrin e komisionit dhe pritet që gjatë kësaj jave të gjenden para deputetëve për miratim.