Festa fetare e Epifanisë – Bekimi i ujërave – u kremtua në mbarë Maqedoninë. Manifestimi qendror i kryesuar nga kryepeshkopi i KOM, hirësia e tij Stefani, në vend se të mbahet në Shkup këtë vit u mbajt në Ohër. Aty ishte e pranishme edhe presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila i uroi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën.
Në Shkup për disa vite me radhë kryqi nuk hidhet nga Ura e Gurit, por nga Ura e Lirisë, e cila është në afërsi të kishës Bogorodicë ku mbahet liturgjia e festës. Në ujërat e Vardarit, në prani të përfaqësuesve të një pjese të pushtetit dhe opozitës, kryqin e hodhi peshkopi i Tetovës-Gostivarit Josif. Nga 220 qytetarë që kanë hyrë në ujërat e Vardarit, më i shpejti apo më me fat ishte 17-vjeçari Teodor Jovevski.
Përndryshe, Epifania bashkë me Krishtlindjet dhe Pashkët është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët ortodoksë.