Shenja në kokë, Pep Guardiola tregon se çfarë ndodhi pas ndeshjes City-Feyenoordi

TË FUNDIT

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se shenjat në kokë e fytyrë i ka shkaktuar vetë me thonj në dhomat e zhveshjes pas performancës dëshpëruese të skuadrës së tij kundër Feyenoordit në Ligën e Kampionëve.

Të martën në mbrëmje, City lëshoi epërsinë prej 3:0 në “Etihad” dhe barazoi 3:3 kundër kampionit të Holandës. Ishte hera e parë që një skuadër që drejtohet nga Guardiola nuk fiton pas epërsisë së tre golave. Gjithashtu, ishte ndeshja e gjashtë radhazi pa fitore për “cityzens”.

Në paraqitjen për media pas ndeshjes, Guardiola befasoi duke u shfaqur me shumë shenja në kokë e fytyrë.

“I bëra me gisht, me thonj”, ka thënë Guardiola, para se të shtonte me shaka: “Dua ta lëndoj veten”.

“Ndeshja ishte e mirë në 3-0, ne po luanim mirë. Pastaj pësuam shumë gola sepse nuk jemi të qëndrueshëm. Ne dhuruam golin e parë dhe më pas të tjerët, gjë që e bën të vështirë. Ne kemi humbur shumë ndeshje kohët e fundit; jemi të brishtë. Ne kemi nevojë për një fitore. Kjo ndeshje ishte vendimtare për besimin tonë – ne po luanim në një nivel të lartë – por diçka ndodh dhe ne jemi në telashe. Nuk e di nëse është një problem mendor, ne jemi të dëshpëruar për të fituar, por nuk po funksionon. Ka shumë gjëra të mira, por pas rezultatit 3-3, nuk ka asgjë tjetër për të thënë. Në këtë nivel, nuk mund të japësh kaq shumë. Në rrethana të tjera, kjo nuk do të kishte ndodhur, por tani ndodh”, ka deklaruar trajneri spanjoll.

Pas pesë ndeshjeve në Champions, City ka tetë pikë në vendin e 15-të.