“Shengeni ushtarak”, BE-ja planifikon lehtësimin e barrierave për tanke e ushtri në rast lufte

TË FUNDIT

Komisioni Evropian është zotuar të lehtësojë barrierat për të përshpejtuar lëvizjen e ushtrive dhe tankeve evropiane nëpër kontinent, duke e përshkruar këtë si “një politikë kritike sigurie për sigurinë evropiane”.

Një plan për mobilitetin ushtarak të cilin e parashtroi Komisioni Evropian të mërkurën është pjesë e një përpjekjeje për t’u siguruar që Evropa të jetë gati të mbrojë veten deri në vitin 2030, në përputhje me paralajmërimet nga shërbimet e sigurisë se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një shtet anëtar të BE-së brenda pesë vjetësh, raportoi Guardian.

Nëse një ushtri do të përpiqej sot të lëvizte nga një port i Evropës perëndimore drejt kufirit lindor të BE-së me Ukrainën, Bjellorusinë dhe Rusinë, do të haste në pengesa dhe vonesa të konsiderueshme, kanë thënë zyrtarët e BE-së. Ata u janë referuar urave që nuk mund të mbajnë peshën e tankeve, tunele hekurudhore që janë shumë të vegjël, si edhe dokumente të BE-së për orarin e punës dhe doganat.

Të paktën një shtet anëtar i BE-së kërkon njoftim 45-ditor për lëvizje ndërkufitare të trupave, në kundërshtim me objektivin e një procedure tre-ditore kufitare të premtuar nga vendet e BE-së më 2024. Sipas auditorëve të BE-së, një tjetër shtet anëtar, i paidentifikuar, dikur refuzoi hyrjen e një kolone tankesh sepse ato shkelën kufijtë e peshës sipas ligjeve vendore të trafikut rrugor.

“Nëse një urë nuk mund të mbajë një tank 60-tonësh, kemi një problem. Nëse një pistë është shumë e shkurtër për një avion transporti, nuk mund të furnizojmë ekipet tona”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila e përshkroi rregullin e lejes 45-ditore si “jo të mjaftueshme” 11 vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Ajo ka shtuar se propozimet më të fundit të BE-së do të mbështesin planifikimin e mbrojtjes së NATO-s.

“Mobiliteti ushtarak është një politikë kritike sigurie për sigurinë evropiane; shpreson të mos duhet ta përdorësh kurrë me kapacitet të plotë, por ta kesh gati siguron një parandalim dhe mbrojtje më të besueshme”, u tha ajo gazetarëve.

Komisioni dëshiron të krijojë një zonë “Shengen ushtarak”, që do të thotë se ushtritë mund të lëvizin nëpër zonën e udhëtimit pa kufij të BE-së po aq lehtë sa qytetarët civilë. Ai ka propozuar një sistem emergjence për transportin ushtarak ndërkufitar që do t’u jepte përparësi kolonave ushtarake në rrjetin e transportit.

Në një situatë emergjente, ushtritë do të merrnin përjashtime nga rregullat e zakonshme të BE-së, si edhe procedura më të shpejta doganore për pajisje dhe furnizime ushtarake, përfshirë ushqime.

Zyrtarët e BE-së kanë identifikuar një listë me prioritet prej 500 urash, tunelesh, rrugësh, portesh dhe aeroportesh që duhet të forcohen ose përshtaten për të përballuar trafikun e rëndë ushtarak, me një kosto rreth 100 miliardë euro. Një rritje dhjetëfish e shpenzimeve për mobilitetin ushtarak prej 17.6 miliardë eurosh është planifikuar në buxhetin e propozuar afatgjatë të BE-së për vitet 2028-34, megjithëse plani i përgjithshëm prej 2 trilionë eurosh përballet me kundërshtime nga shumë shtete anëtare që shpresojnë të ulin shpenzimet.