Numri i përdoruesve të lëndëve narkotike edhe këtë vit mbete një problem në rritje. Kureshtja e të rinjve për të eksperimentuar dhe naiviteti i drogave të lehta morën jetën e rreth 6 deri 7 për qind nga 1200 përdorues problematik që janë të regjistruar në qendrën rehabilituese “Labyrinth”.
E në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare aktualisht janë 21 pacientë që po marrin Metadonin me dozat e tyre ditore, kurse në repartin e varësisë me qëllim të detoksimit janë të shtrirë dy pacientë.
Por numri i të arrestuarve për kontrabandim me narkotikë nga Policia e Kosovës gjatë periudhës kohore janar-korrik të këtij viti ka shënuar ulje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Edhe përkundër daljes në treg me vetëm dy vitet e fundit të drogës së llojit GBH(Gama Hydroksybutyrate), ajo vazhdon të mbetet më e kërkuar, e ndjekur nga heroina. Përdorimin i drogës kanabis po paraqet rrezikun më të madh te grup moshat 14, 16 dhe 18, si dhe rastet ekstreme, te moshat 12 vjeçare, për shkak të qasjes së lehtë në droga, dhe çmimet e lira të këtyre drogave.
Për trajtim të përdoruesve të narkotikëve, Kosova nuk ka një qendër rehabilituese, ku mund të trajtohen këta persona, që deri më tani janë duke marrë vetëm trajtime ditore.
Drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, tha për KosovaPress se përqindja e të vdekurve nga mbidoza është goxha e lartë.
Blakaj thotë se problemi qëndron te qasja e lehtë në droga dhe se problem et ligjore janë të ulëta. Ai thekson se edhe një kimist e farmacist i shkathët mund të krijojë çfarë do lloj droge.
Drejtori i Qendrës Klinike Psikiatrike, Shaban Mecinaj, thotë se në këtë qendër, 21 pacientë vijnë të marrin Metadonin. Ai madje ka theksuar se të rinjtë janë ata të cilët më së shumti po atakohen me përdorimin e drogave të marihuanë, ekstazi e me GBH (Gama Hydroksybutyrate).
Se grup – moshat e reja janë ato të cilat po atakohen më se shumti nga lëndët narkotike e thotë edhe Safet Blakaj. Ai tha se ky problem po vazhdon të mbetet te moshat 14, 16, 18 e në disa raste ekstreme edhe te ato 12 vjeçe.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se konfiskimi i të gjitha llojeve të trafikimit të substancave narkotike ka një rënie, në përjashtim të heroinës e cila ka një ngritje prej 7 kilogramë nga viti i kaluar. Sipas tij Kosova është ballafaquar me substanca narkotike të llojit marihuanë, ku ka pasur një destinacion nga Shqipëria drejt Kosovës, e që tani kjo po shënon rënie për vetë faktin e luftimit të kësaj dukurie nga shteti i Shqipërisë, e që ka kaluar transit nga Kosova për në vende tjera.
Drejtori i Qendrës Sociale, Vehbi Mujku, thotë se moskujdesi i prindërve duke lejuar fëmijët të dalin në orët e vona e ku po i ekspozohen rrezikut me lëndët narkotike, duke filluar edhe nga shërbimi i restoranteve edhe për moshat nën 18 vjeç.
Rajonet të cilat po përfshihen më së shumti në problematikën e drogës, është regjioni i Prishtinës më pastaj vjen Prizreni, si dhe regjioni i Mitrovicës.
Për këtë po kërkohet që të bëhen programe parandaluese në atë mënyrë që qytetarët dhe të rinjtë të ndërgjegjësohen dhe të kenë informata lidhur me llojin dhe me pasojat që mund të vijnë nga përdorimi i drogave. Megjithatë, Klinika Psikiatrike, rehabilituese specialistike-psikiatrike “Labyrinth”, Qendra Sociale, dhe Policia e Kosovës, bënë thirrje që prindërit të kenë më shumë nën kontroll lëvizjet e fëmijëve të tyre dhe se fëmijët e tyre të merren me aktivitet të sportive e kulturore. Ata madje thanë që duhet të ekzistojë edhe një vullnet nga institucionet, nga shoqëria civile që të bëhet një qendër rehabilitimi pasi që shteti i Kosovës nuk e ka një të tillë për të i rehabilituar këta personat e varur nga droga./KP/
