SHBA: Stërvitjet ushtarake të Kinës pranë Tajvanit janë të pajustifikueshme

TË FUNDIT

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha këtë të premte se lëshimi i raketave nga Kina gjatë stërvitjeve ushtarake rreth Tajvanit ishte një përshkallëzim i pajustifikuar, pasi Pekini tha se do të vendoste sanksione ndaj kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi mbi vizitën e saj në ishull.

Gjatë një takimi me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore në Kamboxhia, Blinken u tha gazetarëve, se vizita e Pelosit ishte paqësore dhe nuk përfaqësonte një ndryshim në politikën amerikane ndaj Tajvanit, duke akuzuar Kinën se po e përdorte atë si një “pretekst për të rritur aktivitetin e saj ushtarak në dhe rreth ngushticës së Tajvanit”.

Ai tha se situata kishte çuar në një “komunikim me tone të larta” gjatë takimeve të Samitit të Azisë Lindore në Phnom Penh, gjatë së cilave ai dhe ministri i jashtëm kinez Wang Yi morën pjesë së bashku me vendet e ASEAN-it.

“I ripërsërita pikat që ua bëmë të ditura publikisht dhe drejtpërdrejt homologëve kinezë ditët e fundit, për faktin se ata nuk duhet ta përdorin vizitën si pretekst për luftë, përshkallëzim, për veprime provokuese, dhe se nuk ka asnjë justifikim të mundshëm për atë që kanë bërë dhe i bëjmë thirrje që të ndërpresin këto veprime”, tha ai.

Më herët të premten, Ministria e Jashtme e Kinës dënoi Pelosin për ato që i përshkroi si “veprimet e saj keqdashëse dhe provokuese”, duke thënë se udhëtimi i saj në Tajvan përbënte “ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës”.

“Në përgjigje të veprimeve provokuese të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kina ka vendosur të vendosë sanksione ndaj Pelosit dhe familjes së saj”, thuhej në deklaratë.