SHBA- Shqipërisë: 'Pastroni' Listat

TË FUNDIT

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i kërkon partive politike shqiptare që të ‘pastrojnë’ listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, pasi janë verifikuar raste të personave me të kaluar kriminale.
Deklarata është bërë sot nga ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, i cili nuk foli për emra konkretë por tha se kjo gjë iu është komunikuar partive përkatëse.
Ambasadori veç kritikave i ka vlerësuar listat për faktin se janë përfshirë shumë kandidate gra.
“Në përgjithësi ndihemi mirë për listat veçanërisht nga prania e një numri të madh kandidatësh gra të aftë. Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit e tyre politikë. Nxisim gazetarët, OJQ-të dhe qytetarët e zakonshëm që të kërkojnë që politikanët e tyre, të përmbushin standardet e tyre të larta etike,” tha Donald Lu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë.

Për zgjedhjet vendore në Shqipëri SHBA-të do të investojnë 500 mijë dollarë me qëllim që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike.

Kjo mbështetje prej gjysmë milioni dollarë do të shkojë për OJQ-të vendase që do të zhvillojnë vëzhgimin zgjedhor dhe mbështetje teknike për KQZ-në.

Ambasadori Lu bëri të ditur se personeli shqiptar dhe amerikan i SHBA-ve si dhe kolegë nga ambasada e SHBA-së të tre vendeve fqinje do të udhëtojnë në të gjithë vendin për të vëzhguar zgjedhjet.