Një rrjet ndërkombëtar hakerash që ka zhvatur më shumë se 100 milionë dollarë nga spitalet dhe organizatat e tjera në mbarë botën, është shkatërruar pas një infiltrimi prej disa muajsh nga FBI-ja, tha të enjten Departamenti i Drejtësisë.
Grupi i njohur me emrin Hive, që operonte që nga qershori i vitit 2021, shënjestroi më shumë se 1,500 viktima, që përfshijnë spitale, shkolla dhe firma financiare në më shumë se 80 vende të botës, thanë zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së në një konferencë shtypi. Viktima më e fundit e rrjetit u vu në shënjestër rreth dy javë më parë në Florida.
Agjentët e FBI-së, të cilët depërtuan në rrjetet kompjuterike të grupit verën e kaluar dhe penguan sulme të shumta, sekuestruan dy serverët e tij me bazë në Los Anxhelos të mërkurën mbrëma, ndërsa morën kontrollin e faqeve të koduara online të përdorura nga filialet e tij, thanë zyrtarët.
Në aksionin ndërkombëtar të zbatimit të ligjit mori pjesë edhe policia gjermane dhe holandeze.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë të zbatimit të ligjit njoftuan ecurinë e operacionit.
“Krimi kibernetik është një kërcënim vazhdimisht në rritje,” tha zoti Garland. “Por siç e kam thënë më parë, Departamenti i Drejtësisë nuk do të kursejë asnjë burim për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë këdo që vë në shënjestër Shtetet e Bashkuara”.
Përmes sulmeve të tilla kibernetike, të njohura si “ransomware”, hakerët marrin nën kontroll kompjuterin, ose rrjetin kompjuterik të viktimës, e bllokojnë atë dhe më pas kërkojnë pagesa në këmbim të çbllokimit të kompjuterit, ose rrjetit të kompjuterave.
Grupi “Hive” përdorte një model në të cilin programues shumë të aftë ndërtonin programet kompjuterike dhe më pas rekrutonin bashkëpunëtorë më pak të sofistikuar për t’i përdorur ato kundër viktimave.
Prokurori Garland tha se filialet e rrjetit Hive synonin “infrastrukturën kritike dhe disa nga industritë më të rëndësishme të vendit tonë”.
Në gusht të vitit 2021, në kulmin e pandemisë COVID-19, bashkëpunëtorët e grupit Hive sulmuan rrjetin e një spitali, duke penguar që ekipi mjekësor të pranonte pacientë të rinj, tha zoti Garland.
Spitali ishte në gjendje të rikuperonte të dhënat e tij vetëm pasi pagoi një shpërblim, tha Prokurori i Përgjithshëm.
Ndërsa nuk është bërë asnjë arrestim në lidhje me operacionin, drejtori i FBI-së Christopher Wray paralajmëroi se “kushdo që është i përfshirë me rrjetin Hive duhet të jetë i shqetësuar, sepse ky hetim është ende në vazhdim”.
