Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar vajzat e rritura të presidentit rus, Vladimir Putin, gruan dhe vajzën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe anëtarët e Këshillit rus të Sigurisë, përfshirë ish-presidentin rus, Dmitry Medvedev dhe kryeministrin, Mikhail Mishustin.
Uashingtoni njoftoi për sanksionet e reja më 6 prill, në të cilat shënjestrohen bankat dhe elitat ruse.
Kjo pako e sanksioneve përfshin ndalimin e çdo amerikani të investojë në Rusi, pasi Uashingtoni dhe Kievi akuzuan Moskën për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.
Sanksionet e reja do të bllokojnë tërësisht bankën Sberbank të Rusisë, e cila mban një të tretën e totalit të aktiviteteve bankare të Rusisë, dhe Alfabank, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mërkurën njoftoi gjithashtu veprime të reja për të penguar dhe ndjekur penalisht veprimtarinë kriminale ruse.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kishin paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, një lëvizje që ka për qëllim të rrisë izolimin ekonomik dhe teknologjik të Rusisë si ndëshkim për sulmet e saj ndaj civilëve në Ukrainë.
“Qëllimi është që t’i detyrojmë ata të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë më herët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Pjesa kryesore e objektivit tonë është që të shterojmë burimet që ka [presidenti rus, Vladimir] Putin për të vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”, ka shtuar ajo.
