SHBA godet objektiva iraniane në Hormuz, Teherani pretendon sulme ndaj bazave amerikane

TË FUNDIT

Ushtria amerikane njoftoi se ka ndërmarrë sulme “vetëmbrojtëse” kundër objektivave iraniane dhe ka rrëzuar raketa balistike e dronë që, sipas saj, ishin lëshuar drejt anijeve dhe vendeve të Gjirit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet u kryen në ishullin Qeshm, pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të asaj që e cilësoi si tentativa iraniane për të goditur objektiva amerikane dhe aleate në rajon.

Nga ana tjetër, Irani deklaroi se kishte sulmuar baza dhe helikopterë amerikanë në një “vend rajonal” me raketa dhe dronë, duke e paraqitur operacionin si hakmarrje ndaj veprimeve amerikane.

Sipas CENTCOM-it, Teherani kishte lëshuar dy raketa drejt Kuvajtit dhe tre drejt Bahreinit. Autoritetet amerikane thanë se të gjitha raketat u shkatërruan ose u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Ushtria amerikane shtoi se sulmi në Qeshm kishte në shënjestër një stacion ushtarak iranian të kontrollit tokësor. Po ashtu, forcat amerikane raportuan se kishin rrëzuar tre dronë sulmues të nisur nga Irani drejt anijeve civile që po lundronin në ujërat rajonale.

Në reagimin e saj, Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se çdo cenim i sigurisë në Ngushticën e Hormuzit do të ketë “një çmim të lartë për ushtrinë agresive amerikane”.

Përshkallëzimi i tensioneve vjen në një kohë kur negociatat për armëpushim dhe për një marrëveshje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të bllokuara, pas mungesës së progresit në bisedimet e zhvilluara gjatë fundjavës.

Më herët, CENTCOM njoftoi se kishte goditur dhe çaktivizuar një cisternë nafte pa ngarkesë që po lundronte drejt Iranit, si pjesë e bllokadës detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Sipas ushtrisë amerikane, një avion luftarak goditi me raketë Hellfire dhomën e motorit të anijes me flamur të Botsvanës pasi ekuipazhi kishte injoruar paralajmërimet e përsëritura.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani “dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje”, duke shtuar se një marrëveshje e mundshme do të ishte në interes të Shteteve të Bashkuara.

Mediat amerikane raportuan se administrata Trump ka kërkuar ndryshime në kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, përfshirë çështje që lidhen me sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani dhe rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor iranian.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i mohoi këto pretendime, duke akuzuar Uashingtonin se po ndryshon vazhdimisht qëndrimet e tij dhe po paraqet kërkesa të reja e kontradiktore.