Kandidatët për president të SHBA-së nga Partia Republikane dhe Demokrate, Donald Tramp dhe Xho Bajden dje zhvilluan tubime parazgjedhore në shtetet e rëndësishme federale Pensilvani dhe Florida, në më pak se tre javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Deri më tani, 12 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhje, përfshirë 1.6 milionë në Florida, sipas një parashikimi të Universitetit të Floridas. Me këtë është thyer rekordi për numrin e votave të parakohshme.
Në tubimin në Pensilvani, Tramp e kritikoi politikën energjetike të Bjadenit, pasi industria e naftës dhe gazit punëson një numër të madh njerëzish në atë shtet, ndërsa sondazhi i Rojters / Ipsos tregon që presidenti aktual mbetet prapa Bajdenit në shtetet kryesore.
Trampi e ka akuzuar Bajdenin se dëshiron ta ndalojë frakturimin hidraulikë, një proces i nxjerrjes së naftës dhe gazit që konsiderohet i dëmshëm për mjedisin.
“Një nga çështjet më të rëndësishme në Pensilvani është mbijetesa e frakturimit” u tha Tramp të mbledhurve, duke sugjeruar që për shkak të Bajdenit, shumë njerëz në Pensilvani do ta humbin punën e tyre.
“Xho Bajden ka thënë vazhdimisht se ai do të heqë frakturimin. Ai është një gënjeshtar”, shtoi Tramp.
Bajden paraprakisht ka deklaruar se do të ndalojë prodhimin e ri të naftës dhe gazit në tokë në pronësi të qeverisë federale, por tha se nuk do ta ndalojë frakturimin, megjithëse ai kishte shprehur më parë pikëpamje konfuze.
Bajden, ndërkohë, ka qenë në Florida duke iu drejtuar votuesve më të moshuar dhe duke e kritikuar Trampin për mënyrën se si ai menaxhon me pandeminë e koronavirusit.
Anketa e Rojters / Ipsos e publikuar të hënën tregon se Bajden ka përparësi prej shtatë pikë përqindje në Pensilvani, në krahasim me pesë pikë përqindje një javë më parë.
Tramp fitoi në atë shtet në vitin 2016 me një dallim të vogël.
Nëse Bajden fiton në Florida, shanset e Trampit për t’u rizgjedhur do të zvogëlohen ndjeshëm, ndërsa sondazhi i fundit tregon se demokratët kanë më shumë mbështetje nga grupet kryesore demografike të vendit, veçanërisht të moshuarit. Tramp fitoi në Florida në vitin 2016 me 1.2 pikë përqindje.
