SHBA e dëshpëruar për gjyqësorin në vend / Në 30 vjet ka dhënë gjysmë miliardë dollarë për sundim të ligjit

TË FUNDIT

Që pas pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar financiarisht sistemin gjyqësor të Maqedonisë, për të qenë të pavarur, efikas dhe ta luftojnë korrupsionin, por rezultatet janë zhgënjyese ka thënë ambasadorja e SHBA-vë në vend Anxhela Ageler, në një intervistë për “Kapital”.

“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor, ne jemi të zhgënjyer. Gjatë 30 viteve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardë dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësim dhe reforma që mund të prisnim me një investim kaq të madh”, tha Ageler.

Ageler ka shprehur shqetësimin e saj mbi praninë e korrupsionit jo vetëm në gjyqësor por edhe në fushat e tjera. Ka shtuar se korrupsioni sistematik që është i pranishëm në të gjithë sektorët në vend i dëmton shumë qytetarët.

“Ju të gjithë meritoni një shoqëri, një gjyqësor, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë juve – qytetarëve. Është një gurthemel i një demokracie të drejtë dhe funksionale. Kjo është ajo ku qeveria duhet të fokusohet, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Gjyqësori duhet të jetë një degë e pavarur, plotësisht e financuar dhe një degë jopolitike e qeverisë. Udhëheqësit politikë duhet ta duan dhe ju qytetarët duhet ta kërkoni”, shtoi ajo.

I dëshpëruar nga sistemi i gjyqësorit është shprehur edhe euroambasadori Dejvid Gir, e pikërisht për këtë BE do të dërgoj mision vlerësues për Këshillin gjyqësor. Nga ana tjetër ambasadori holandez, Dirk Jan Kop muaj më parë ngriu projektet dhe financat për Këshillin Gjyqësor për shkak të rezultatetve të dobëta.