SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme, rritet frika për përplasje më të gjerë

TË FUNDIT

Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shton frikën për destabilizim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

Nga Teherani kanë ardhur paralajmërime të forta se Ngushtica e Hormuzit mbetet një vijë e kuqe për Republikën Islamike dhe se çdo ndërhyrje amerikane do të marrë një përgjigje të menjëhershme.

Zëdhënësi i komandës së lartë ushtarake iraniane deklaroi se vendi është i gatshëm të kundërpërgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi.

“E gjithë infrastruktura në të gjithë rajonin do të shkatërrohet nga goditjet e hekurta të forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit, pa lënë asnjë gjurmë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë”, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i ushtrisë së Iranit.

Në terren, luftimet nuk janë ndalur. Gjatë natës, ushtria amerikane goditi objektiva ushtarake në disa zona të Iranit, duke zgjeruar operacionet edhe në pjesën veriore të vendit.

Komanda Qendrore e SHBA-së publikoi pamje të një sulmi ndaj një cisterne që po lëvizte drejt një porti iranian.

Nga ana tjetër, Irani ndërmori sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani. Sipas autoriteteve iraniane, në shënjestër ishin bazat ushtarake amerikane dhe depot e magazinimit të karburantit.

Mes shkëmbimeve të goditjeve pati edhe një zhvillim që u interpretua si një sinjal i kufizuar për uljen e tensioneve. Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se Irani kishte liruar një grua, e cila sipas tij mbahej padrejtësisht e ndaluar që prej vitit 2024.