Shaini flet për TV21 pasi u lirua nga Spitali: Nuk ndihem i sigurt derisa nuk kapet atentatori

TË FUNDIT

Dy ditë pas atentatit ndaj tij, lirohet nga spitali doktori Zekirja Shaini. Pulmologu, i cili ishte viktimë e pritës, ka kuruar 4 plagët e marra në trup dhe është lënë në kurim shtëpiak. Ai për TV21 tha se nuk i ka borxh askujt, por nuk ndihet i sigurt derisa nuk kapet atentatori. Iu bënë thirrje hetuesisë të zbardhin plotësisht rastin, i cili ka shqetësuar edhe familjen e tij.

“Për momentin me shëndet falë Zotit ndjehem mirë dhe falë personelit mjekësor për kujdesin në maksimum dhe deri në këtë moment jam mirë. A ndjeheni akoma i rrezikuar? I rrezikuar ndjehem deri sa nuk gjendet personi, i cili e ka bërë veprën se nuk kemi konkretisht diçka që çfarë ka personi ndaj meje. Në bazë të inicialeve pak a shumë mund ta dini se për kënd bëhet fjalë a njiheni me atë person apo është porositësi i dikujt tjetër? Nuk dua të flas për atë punë se ia kam lënë hetuesisë dhe nuk dua të merrem me atë punë se thashetheme mund të ketë me mijëra por organeve të rendit iu kam lënë besimin dhe se… Nuk është që i iki përgjegjësisë apo diçka se çfarë ka ndodhur veç është bërë, por mu ndal nuk e kam nijet se borxh nuk i kam askujt, por nuk dua të hy të ajo pjesë se është shumë e ndjeshme se më ka shqetësuar shumë familjen tepër”, tha Shaini.

Ndërkaq, policia dje ka shoqëruar bashkëshorten e mjekut Zekirja Shaini, e cila sipas MPB dyshohet se është e lidhur me plagosjen e bashkëshortit të saj pardje në Kumanovë. Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona janë thirrur në bisedë informativ në Stacionin Policor të Kumanovës.

“SPB Kumanovë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Kumanovës ndaj të privuarës nga liria A.A. (43) nga Tetova, për shkak të bazave të dyshimit se është e lidhur me tentativën për vrasje të bashkëshortit të saj Z.Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Likovë. E dyshuara, me procedurë të rregullt është lënë e lirë deri në procedimin e lëndës nga organet hetuese”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në lidhje me ngjarjen, në bisedë janë thirrur 6 persona, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, me urdhër gjykate, është kryer kontroll. Në arrati është akoma atentatori L.F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për vrasje në tentativë dhe ende është në arrati, gjithashtu do të ngrihet një padi penale.
Mjeku pulmolog, Shaini, po ashtu është edhe bartës i listës së AKI-së për këshillin komunal të Likovës, por se katër plumbat që i mori në trup, kumtohet se nuk ishin për ndonjë motiv politik.