Shkolla fillore “Besa” e fshatit Veshallë me vendim të Këshillit Komunal do të ketë lokacion të ri. Drejtoria e shkollës nga fshati Veshallë do të zhvendoset me bazë në Reçicë të Vogël, ndërsa do të jetë e disperzuar në fshatin Veshallë edhe fshatin Bozofcë.
“Shkolla do të jetë me lokacion të ri dhe do të ketë disperzim të lokacionit. Realisht lokacionin do e ketë në objektin që është ndërtuar në Reçicë të Vogël ku do e ketë lokacionin bazë dhe do të jetë e disperzuar në fshatin Veshallë edhe fshatin Bozofcë”, tha Besar Durmishi – kryetar Këshilli.
Sipas drejtorit të shkollës, me këtë vendim, në fshatrat Bozofcë dhe Veshallë mësimi do të ndiqet nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa nga klasa gjashtë deri në nëntën në qytetin e Tetovës.
“Tani është një fat i mirë që nga klasa parë deri në pestën nxënësit do të ngelen këtu në Veshallë dhe Bozofcë, ndërsa nga klasa gjashtë deri në klasën e nëntë themeluesi do të sigurojë transport deri në shkollën qendrore në Reçicë të Vogël”, pohoi Shefajet Ramadani – drejtor i shkollës “Besa”.
Por problemi është se numri i nxënësve në këtë shkollë nga viti në vit po bie.
“Viti 2022/23 ka qenë jo sikur gjithë shtatoret tjera. Ne u detyruam që të informojmë organet për këtë situatë. Nga 1 shtatori dhe në këtë moment ne kemi dhënë shtatë fletëshpërngulje për në qytet dhe në diasporë”. Nuk është kjo shpërngulje vetëm brenda por njerëzit ikin edhe jashtë në diasporë”, deklaroi Shefajet Ramadani – drejtor i shkollës “Besa”.
Në këto dy fshatrat të Tetovës tani ka vetëm 25 nxënës, ndërsa të punësuar janë 22 mësimdhënës dhe 7 persona në administratë dhe teknikë. Në këto shkolla vite me parë kishte rreth 400 nxënës, por shpërngulja në qytet edhe mërgimi ka bërë që fshatrat e malësisë së Tetovës të boshatisen.
