Sezoni veror nis më herët në rivierën shqiptare! Turizmi dhe akomodimi në rritje në jug

TË FUNDIT

Sezoni turistik veror ka filluar më herët nga pjesa Jugore e Shqipërisë. Në rivierën e shtetit fqinjë, sikurse nga vendet e rajonit, ashtu edhe turistët evropianë, me t’u ngrohur koha, kanë nisur të bëjnë pushime më të gjata me familje. Përveç fundjavave që janë aktivizuar edhe eventet për të rinjtë, një zhvillim rapid është ndjerë edhe në hapësirat akomodukese të sektorit privat. Por, për të arritur deri tek këto perla, shteti po përpiqet të ndjek ritmin për shtrirjen infrastrukturore rrugore.

 “Ndërkaq kjo është pika e re pagesore e vendosur në hyrje të Tunelit të Llogarasë, i cili është i gjatë rreth 6 km dhe e shkurton rrugën e 40 minutave vetëm në 7-8 minuta për të kaluar nga fshati Dukat në pjesën e rivierës së Jugut në Palasë dhe më tej nga Dhërmiu. Por shumë është simbolike dhe ende nuk dihet nëse do të vihet në funksion pagesa në këtë fillim të sezonit të ri verorë”, raporton Adi Qaili, gazetar.

Ka shumë turistë që shprehin ankesa ndaj shtetit duke qenë se nuk po arrijnë të zgjerojnë rrugët para fillimit të sezonit dhe ngarkesat në trafik u marrin kohë deri në arritjen nëpër destinacione. Madje disa turistë të huaj i bëjnë thirrje autoriteteve që të organizojnë edhe më shumë linja të transportit publik.

 “Për ne, fakti më i jashtëzakonshëm është ngarkesa në komunikacion këtu dhe ne shpresojmë që qeveria do të bëj zgjidhjen e problemit të trafikut lokal, duke lidhur linjat me trena, autobusë dhe forma tjera të transportit për lëvizje më të lehtë dhe kushtet për jetesë do të bëhen më të mira”, tha një turist gjerman.

Turistët e huaj që hasëm rrugës disa shprehën shumë kënaqësi për bukuritë natyrore të detit dhe malit si dhe monumentet historike. Ata janë të magjepsur për mikpritjen shqiptare dhe gastronominë autentike me produkte ushqimore bio të agroturizmit. Turistët ua sugjerojnë këto vizita edhe të tjerëve pasi që edhe çmimet janë shumë të arsyeshme në raport me shërbimet dhe ushqimet që ofrohen.

 “Po bëjmë gjiro nëpër Shqipëri nga pjesa e maleve dhe detit pastaj kthehemi në Tiranë dhe Shkodër dhe kemi planifikuar që udhëtimi të na zgjatë dy javë. Jemi shumë të kënaqur sepse vendi ka pamje të bukur, njerëzit janë shumë të mirë, çdonjëri ishte miqësor. Secilin që kemi takuar ishin të mikpritës dhe të ofrojnë ndihmë. Kjo është e mirë dhe na bënë ta ndjejmë këtë lloj aventure të paharruar”, u shpreh një tjetër turist gjerman.

Përndryshe, për qytetarët tanë që urrejnë pritjet e gjata nëpër pikat kufitare pas vendosjes së sistemit “EES” me fqinjin jugorë të Greqisë dhe fqinjin lindor të Bullgarisë si shtete anëtare të BE-së, kufijtë me Shqipërinë, janë lehtësisht të depërtueshme pa kontrolle të shtuara e procedura të ngarkuara doganore sidomos në sezonin turistik nga 1 maji deri më 30 shtator, si pjesë e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.