Po të mos e kishin shtesën prej 30% për shkak të rrezikshmërisë në punë, policët do ta kishin rrogën nën pagën minimale thotë Florim Alimi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë për rajonin e Pollogut. Për këtë shkak ata kërkojnë harmonizim të pagës. Sipas tij policët nuk paguhen aq sa e meritojnë sepse për të arritur një rrogë prej 26 mijë denarëve, do të duhet të punojnë edhe fundjavave, në festa si dhe në orë shtesë.
“Kohën e fundit dolën me disa të dhëna kinse rrogat e të punësuarve në këtë ministri janë 25 apo 26 mijë edhe kjo është e pavërtetë, se ata 25 mijë apo 26 që dolën janë me shtesat, nuk është një rrogë pa ato shtesat dhe unë në diskutim me sindikatat e them se dhe në çdo organ tjetër nëse angazhohet mund të arrish edhe 30 mijë, si ndërrimi natës apo ditë jo pune, siç është e diela, në ndonjë festë dhe ajo është normale por rroga bazë është nën minimalen sa i përket të punësuarve të policisë”, tha Florim Alimi, Sindikata e Pavarur e Policisë.
Alimi shprehet se policët përballen edhe më probleme të tjera, si mungesa e uniformave apo kushteve në punës. Nëse një polic në muaj bën 300 orë shtesë, atij i kompensohen vetëm 32 orë, ndërsa të tjetar i merr si ditë të lira, edhe atë kur e japin eprorët.
“Nuk është ashtu se ato 3 mijë ai mund t’i marrë nëse shkon në punë që të mos e dijë edhe vetë kur shkon në punë e kur kthehet nga puna, nëse sipas ligjit për marrëdhënie pune është paraparë 160 orë brenda muajt ai duhet t’i bëjë 300 orë sepse ka angazhime, vjen një delegacion, protesta, futboll dhe pas gjithë këtyre angazhimeve, përsëri këtu e kemi të kufizuar deri në 32 orë nuk mundim ndryshe, jemi të detyruar ta marrim si ditë të lirë”, theksoi Florim Alimi, Sindikata e Pavarur e Policisë.
Sindikata e Pavarur e Policisë kërkon edhe reforma në komisionet disiplinore, ku sipas Alimit të punësuarit shpesh bëhen viktima të këtij komisioni. Se sa e rrezikshme është puna e policëve tregojnë edhe të dhënat nga vetë Ministria e Brendshme, ku vetëm gjatë vitin 2021 janë ngritur 172 vepra penale për sulm ndaj policisë, ndërsa 796 persona kanë fyer pjesëtarë të policisë gjatë kryerjes në detyrës zyrtare.
