Sërish shtyhet seanca për spitalin modular! Dy të akuzuar thanë se nuk e dinin se u duhen avokatë

TË FUNDIT

U anulua edhe seanca e dytë gjyqësore për djegien e spitalit modular në Tetovë pasi që dy të akuzuar nuk kishin avokatë.

Seanca filloi në orën 10 dhe në gjykatore ishin tre të akuzuarit, Florin Besimi Artan Etemi dhe Boban Vuçevski, por dy të fundit para gjykatësit u arsyetuan se nuk e kanë ditur se duhet të kenë avokatë.

Etemi dhe Vuçevski nuk deshën të prononcohen për mediat, ndërsa ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, i akuzuari Florin Besimi, pas përfundimit të seancës, tha se është i bindur se ka fakte edhe dëshmi që  tregojnë pafajësinë e tij.

 “Me faktet të cilët do të vërtetohen do të dëshmoj pafajësinë time për këtë ngjarje tragjike. Për këtë ka dëshmi të pakontestueshme të cilat gjatë procesit gjyqësorë do t’i shpalosim. Andaj shpresoj se së shpejti do të fillojë ky proces gjyqësor dhe do të mbarojë”, tha Florin Besimi, i akuzuar.

Seanca e radhës u caktua për më 8 nëntor. Mbi të akuzuarit rëndon akuza për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mos veprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Akuza u ngrit pas hetimit në vend por edhe pas ekspertizës gjermane. Kohë më parë Prokuroria njoftoi se sipas ekspertizës së MPB-së, zjarri në spitalin modular ka ardhur si pasojë e djegies së kabllos vazhduese, në të cilin ishte vendosur një aparat defibrilator-reanimues, një karikues celulari dhe një tjetër pajisje tjetër.