Protesta e dytë me radhë në mbështetje të liderit të Iniciativës Qytetare “SDP” Oliver Ivanoviq dhe të akuzuarit tjetër Dragolub Delibashiq, është mbajtur të premten para Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti.
Rreth 600 protestues, në mesin e të cilëve edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, pastaj përfaqësues të komunave veriore, si dhe struktura tjera dhe simpatizantë të SDP-së, kanë kërkuar që dy të akuzuarit të lirohen menjëherë dhe t’u mundësohet mbrojtja në liri.
Përveç flamujve serbë, protestuesit kanë bartur edhe pankarta me mbishkrimet “Beteja për të vërtetën! Liri për Oliverin!”, “Euleksi të akuzon, Euleksi të gjykon!”, etj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka porositur Ivanoviqin ta ruajë shëndetin e tij, duke thënë se kjo nuk do të jetë me siguri beteja e fundit për ta ruajtur popullatën serbe në këto hapësira.
Ai ftoi serbët të jenë të bashkuar dhe të fortë si asnjëherë më parë, pavarësisht zërave të disave që shprehen kundër formimit të Bashkësisë së Komunave dhe kundër unitetit më të fuqishëm të popullit serb.
Kryetari i Këshillit për ndihmë serbëve të Kosovës pranë qeverisë së të ashtuquajturës Republika Sërpska, Millorad Arllov, tha se sot nuk bëhet fjalë vetëm për Oliverin, por përmes tij, bëhet fjalë për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq, foli për gjendjen e rëndë shëndetësore të Ivanoviqit pas ditës së tetë të grevës së urisë.
Sipas saj i akuzuari ka humbur në peshë më shumë se shtatë kilogramë deri tani, ndërsa në vizitën e fundit nuk ka mundur të qëndrojë më shumë se 10 minuta.
Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, ka akuzuar ashpër Eulex-in duke thënë se janë duke bërë padrejtësi në vend të drejtësisë.
Protesta e cila gjatë gjithë kohës u mbikëqyr nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Stacionit Veri, zgjati gjysmë ore dhe nuk u shënua ndonjë incident.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq është në ditën e tetë të grevës së urisë brenda burgut në ve ri të Mitrovicës, ndërsa bashkë me të akuzuarin tjetër Dragolub Delibashiq akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 – 2000 në atë pjesë të qytetit
