Një sipërfaqe e madhe me kallamishte në Strugë u dogj sërish. Javën e kaluar dy zjarre u regjistruan përskaj rrugës nga Struga deri në fshatin Kalishtë, përgjatë bregut të liqenit në tokë shtetërore, ku për shuarjen e zjarrit kanë ndërhyrë zjarrfikësit. Kjo përsëritet çdo pranverë, para fillimit të sezonit turistik, nga qytetarët të pandërgjegjshëm, të cilët për hir të përfitimit, ndërtimit të plazheve dhe uzurpimit, shkatërrojnë biodiversitetin natyror të liqenit të Ohrit.
“Kallami është duke u djegur vazhdimisht, shohim që në sipërfaqe po derdhen rrënoja ndërtimi. Ajo që na shqetëson më shumë është se nuk bëhet fjalë për tokë bujqësore private, por për tokë shtetërore, është një vend që duhet të kujdesen institucione përkatëse të cilat as nuk i shohim në teren”, tha Nikolla Kukunesh, aktivist.
Peshku i llojit krap po shkatërrohen dhe zogjtë po zhduken duke lënë foletë e djegura. Ambientalistët kanë dhënë alarmin prej vitesh. Ambintalisti Kosta Hiohi thotë se kjo tanimë është bërë traditë dhe askush nuk merr masa, e sipas tij, kanë heshtur edhe ambientalistët më të zëshëm.
“Zjarrvënësit çdo herë identifikohen si “autor të panjohur”. Edhe përskaj paralajmërimeve për riorganizim më të madh të institucioneve të këtij sistemi ekocid, kjo ndodh në mënyrë të vazhdueshme gjatë riprodhimit të shpendëve, zvarranikëve dhe peshqve dhe askujt nuk i intereson për këtë. Eko-aktivistët më të zëshëm, papritur kanë heshtur. Secili prej nesh është i vetëdijshëm që kallamat në vende të caktuara duhet të priten dhe të kontrollohet zgjerimi i tyre, por këtë duhet ta vendosin inxhinierët e mjedisit dhe inspektorët përkatës dhe jo individë që nuk janë ekspertë për këtë”, pohoi Kosta Hiohi, ambientalist.
TV21 kontaktoi me zyrën e mjedisit jetësor në Komunën e Strugës, nga ku na thanë se nuk janë kompetent për ndërmarrjen e masave pasi që, siç thonë, ajo pjesë ku digjet kallami është zonë e trashëgimisë natyrore.
“Ajo është në pjesën e trashëgimisë natyrore. Ne nuk kemi ingerenca, sepse një pjesë e ligjit të natyrës e inspekton Inspektorati shtetëror i Mjedisit, ne mund të intervenojmë vetëm në rast se nuk mundet që Inspektorë shtetëror të vijnë për momentin, mund të bëjmë fotografi të tregojmë sa sipërfaqe është ndezur, por nuk kemi ingerenca për të marrë masa të mëtutjeshme”, thonë nga Inspektorati komunal për mjedis jetësor – Strugë.
Nga ana tjetër nga Inspektorati shtetërorë i Mjedisit Jetësor pohojnë se ingerencat i ka inspektorati komunal, pikërisht për arsye se është pjesë e trashëgimisë kulturore të liqenit. Shkatërrimi i kallamishteve është një nga vërejtjet e UNESCO-s për Liqenin e Ohrit. Ambientalistët u bëjnë thirrje shërbimeve inspektuese të marrin masa. Kodi Penal për transformimin dhe shkatërrimin e paligjshëm të bregut të liqenit parashikon dënim me burg nga tre muaj deri në tre vjet.
