Serbia pritet të rikthejë shërbimin ushtarak, Gashiq: Gjenerata e parë në fillim të vitit 2026

TË FUNDIT

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, mbrëmë njoftoi se në fillim të vitit të ardhshëm mund të fillojë shërbimi ushtarak i detyrueshëm, duke theksuar se ushtria serbe tashmë ka përgatitur mbi 120 ambiente për këtë qëllim, përcjell TV21. Gashiq deklaroi se, për ta bërë të mundur këtë proces, duhet të miratohen një numër i madh aktesh ligjore dhe nënligjore.

“Ky është një proces që nuk është aspak i lehtë apo i lirë. Ne menjëherë nisëm përgatitjet në Ministrinë e Mbrojtjes, para së gjithash për aktet ligjore dhe nënligjore që duhet t’i miratojmë në periudhën e ardhshme. Pres që në sesionin e vjeshtës së Kuvendit të hyjmë me një set të ri ligjesh për ushtrinë. Në momentin kur të fillojmë punën në Kuvend, shpresoj që të nisë edhe miratimi i ligjit për ushtrinë dhe kthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, pra diku gjatë janarit-marsit, kur do të fillojmë me gjeneratën e parë të ushtarëve”, tha Gashiq për Euronews.

Ndryshe, një paradë ushtarake e ushtrisë serbe do të mbahet të shtunën në Beograd.