Serbia çdo herë luan me ndjenjat e familjarëve të pagjeturve

TË FUNDIT

Komisioni qeveritar për persona të pagjetur është shprehur i zhgënjyer me ndërprerjen e punimeve që janë bërë nën dyshimet për varrezë masive në Kozarevë të Novi Pazarit të premten, ka thënë sot në një konferencë për media Prenk Gjetaj, kryetar i këtij komisioni.

Sipas Gjetajt, gërmimet janë paraparë që të bëheshin më 7 dhe 8 gusht, mirëpo kanë zgjatur shumë pak orë vetëm gjatë ditës së premte. Gjataj ka thënë se as që është gërmuar në vendin ku pala shqiptare mendon se mund të ketë trupa të varrosur.

Komisioni qeveritar ka kërkuar nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare që të ndërhyjnë në këtë zvarritje që siç thanë ata gjithmonë po i bën pala serbe, raporton KolsovaLive.

Edhe familjarët e personave të zhdukur vazhdimisht vlerësojnë se përpjekjet e deritashme të institucioneve vendore, por edhe të faktorit ndërkombëtar, kanë qenë të pamjaftueshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndërsa Serbinë e akuzojnë për obstruksion të përhershëm.

Nysrete Kumnova, nga “Zëri i nënave”, ka thënë për KosovaLive se tashmë e sa vite Serbia po e përdorë të njëjtën lojë duke mos treguar për fatin e personave të zhdukur. Ajo ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova ta kushtëzojë Serbinë me gjetjen e të dashurve të tyre por ka shtuar se një gjë e tillë tashmë e sa vite nuk po ndodhë.

Edhe Bajram Qerkini, nga shoqata “Zëri i prindërve”, tha për KosovaLive se kjo nuk është hera e parë që Serbia luan me ndjenjat e familjarëve me arsyetimet më të uleta kinse nuk kanë fonde. Ai ka fajësuar bashkësinë ndërkombëtare se nuk po e kryen punën si duhet dhe të dihet sa më shpejt për fatin e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.