Me një vendim të këshillit të ministrave nr. 308, datë 8.4.2015 dhe pas botimit në fletoren zyrtare, ka hyrë në fuqi që prej ditës së sotme marrëveshja midis Shqipërisë dhe Serbisë për sa i takon njohjes së ndërsjelltë të lejeve të drejtimit për drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në dy vendet përkatëse.
Që sot, shoferët shqiptarë që shkojnë në Serbi dhe anasjelltas, apo edhe turistët, nuk do të kenë nevojë të kryejnë shpenzime për pajisjen me një patentë ndërkombëtare.
Ky është fryti i parë në kuadër të procesit të Berlinit të ndërmarrë nga BE-ja si dhe pas vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Beograd.
Por pas incidenteve në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri dhe polemikave për deklaratat e Ramës në Beograd, patentat mund të konsiderohen si hapi i parë pozitiv drejt shkrijes së akujve mes dy vendeve.
