Në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.
Në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.
Në të njëjtën ditë në Beograd do të mbahet mbledhja e Qeverisë serbe, për siç është paralajmëruar, situatën në Kosovë.
në këtë drejtim”, tha ai.
Më 5 nëntor, pas mbledhjes së Qeverisë serbe, Vuçiç do të takohet me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, dhe me atë rus, Aleksandrom Bocanom Harcenkom.
Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe së bashku me Serbinë, e bllokojnë Prishtinën që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.
Për shkak të raporteve që ka me Kinën dhe Rusinë, Serbia është kritikuar nga zyrtarët perëndimorë, por edhe për shkak të progresit në integrimet evropiane, pasi Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas mediave, presidenti serb do të takohet edhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.
Përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe gjatë deklarimeve të tyre kanë mohuar pavarësinë e Kosovës.
Çfarë parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës?
Përderisa Serbia dhe përfaqësuesit serbë po e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës dhe kanë bërë thirrje për rezistencë, në Kosovë kanë thënë se vendimet e saj për targat janë legjitime.
Më 28 tetor, Qeveria e Kosovës shpalosi planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës) është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë do të qortohen shoferët që kanë makina me targa serbe, në të dytën do të paguajnë gjobë prej 150 eurosh, ndërkaq faza e tretë parasheh përdorimin e targave provuese.
Qeveria ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të përdoren vetëm targat RKS.
Ky vendim i Kosovës vjen pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që Prishtina të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit. Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë shprehur “zhgënjim” me mosshtyrjen e afatit për targat.
Qeveria e Kosovës ka argumentuar se kishte bërë një shtyrje të zbatimit të vendimit të targave, që fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht dhe ishte shtyrë për periudhën 1 shtator-31 tetor.
Incidente në veri për shkak të targave
Në javët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, të cilët i kishin regjistruar ato në targa RKS.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se këto raste paraqesin “frikësim” për qytetarët që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre.
Më 3 nëntor, Policia e Kosovës raportoi për të shtëna me armë zjarri në stacionin policor kufitar në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe.
Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor, Borrell përmes një postimi në Twitter kërkoi nga të gjitha palët që të përmbahen dhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.
Zyrtarët në Serbi, e as zyrtarët serbë në Kosovë nuk kanë komentuar për djegien e makinave dhe dëmtimin e pronës së serbëve që po riregjistrojnë makinat e tyre.
Po ashtu, ditëve të fundit, Serbia ka rritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, teksa ka pretenduar se dronë nga Kosova kanë “vëzhguar” objektet ushtarake të Serbisë. Kosova ka mohuar se fluturake nga territori i saj kanë hyrë në Serbi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ndërkaq ka deklaruar se vëzhgimi i ndërtesave ushtarake me dronë është “një lloj agresioni”.
Çfarë parashihte marrëveshja për targat e arritur në Bruksel?
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, më 2011 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
Sipas kësaj marrëveshjeje, makinat me targa serbe me akronime për qytetet e Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovica e Kosovës) e të ngjashme, duhej të riregjistroheshin në RKS (Republika e Kosovës) apo në targat me status neutral KS (Kosovë).
Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët serbë kanë qarkulluar me targa të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Atëbotë qytetarët e Kosovës nuk mund të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS, por duhej të pajiseshin me targa provuese, andaj Kosova u pajtua që të lëshonte targa KS edhe për pesë vjet të tjera, marrëveshje të cilën Serbia e pranoi.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e vitit 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016.
Vlefshmëria e këtyre targave me status neutral skadoi më 15 shtator të vitit 2021.
Zyrtarët serbë së fundmi sërish kanë kërkuar që targat KS të rikthehen në përdorim, por kjo kërkesë është refuzuar nga autoritetet në Kosovë./REL
