Senatori Roj Blant: Të pakta gjasat për ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve në SHBA

TË FUNDIT

Senatori republikan Roj Blant i emëruar për ta udhëhequr përurimin e presidentit të SHBA-së më 20 janar, deklaroi se të pakta janë gjasat se do të ketë ndryshim në rezultatet e zgjedhjeve në SHBA të cilat u zhvilluan më 3 nëntor.

Nga ana tjetër, kolegët e tij demokratë po kërkojnë prova për pretendimet e presidentit të tanishëm, Donald Tramp se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Në emisionin “Këtë javë”, në televizionin Ej-bi-si, Blant mbrëmë deklaroi se është e arsyeshme që republikanët të presin derisa të shpallen rezultatet zyrtare. Ai beson se numërimi i votave mund të ndodhë në vende si Xhorxhia, ku fituesi i deklaruar, demokrati Xho Bajden është duke udhëhequr me një diferencë të vogël.

Ekipi i avokatëve të Trampit, ndërkohë, prej sot planifikon të paraqesë më shumë procese gjyqësore për parregullsitë e votimit. Presidenti nuk e ka pranuar ende publikisht humbjen dhe nuk ka në plan të takohet me Bajdenin në Shtëpinë e Bardhë për të dorëzuar pushtetin duke pretenduar se zgjedhjet janë të vjedhura.

Sipas mediave amerikane duke cituar vëzhgues dhe ekspertë, raportet për parregullsi gjatë procesit të votimit dhe gjatë numërimit pasues të votave janë shumë të rralla.

Ndërkohë, senatori demokrat nga Delaver, Kris Kuns, në të njejtin emision tha se përderisa ka akuza për mashtrim elektoral, menjëherë duhet të dorëzohet dëshmi për këtë.

“Nëse republikanët e mbështesin Donald Trampin në refuzimin e tij për t’i pranuar rezultatet e zgjedhjeve, presidenti duhet të tregojë fakte, jo vetëm tuite të zemëruara”, tha Kuns.