Lideri i shumicës republikane në Senat, Miç Mekonell, mbrëmë nuk e mbështeti propozimin e presidentit Donald Tramp për rritjen e pagesave individuale direkte për amerikanët nga 600 në 2.000 dollarë, për shkak të krizës së koronavirusit në vend.
Mekonell e bllokoi përpjekjen e demokratëve për të hedhur masën në votim, duke thënë se Kongresi i SHBA-së kishte miratuar deri më tani ndihmën e mjaftueshme financiare. Qëndrimi i tij është kundër përpjekjeve të presidentit Tramp dhe disa senatorëve të tjerë republikanë. Ai tha nga foltorja se “nuk ka asnjë rrugë realiste që kjo të kalojë shpejt”.
Ai tha se “Senati nuk do të detyrohet të japë më shumë para në duart e miqve të pasur demokratë që nuk kanë nevojë për to”.
“Nëse familjet specifike kanë nevojë për ndihmë shtesë, Senati do të konsiderojë adresimin e ndihmës në mënyrë të arsyeshme”, tha Mekonell.
Lideri i demokratëve në Senat, Çak Shumer është përpjekur të marrë votim mbi masën, të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, për dy ditët e fundit dhe për të përmbushur kërkesën e Trampit për pagesa deri në 2.000 dollarë.
Ligjvënësit demokratë kanë qenë ashpër kritikë ndaj Mekonell dhe republikanëve të tjerë.
“Republikanët në Senat duket se janë jashtëzakonisht indiferentë ndaj gjendjes së njerëzve të tjerë”, tha Nensi Pellosi, kryetare e e Dhomës së Përfaqësuesve.
Sekretari i Financave, Stiven Mnuçin më parë ka thënë se pagesat e para prej 600 dollarësh amerikanët do të fillojnë të marrin që nga kjo e mërkure.
