Regjistrimi i diasporës po vazhdon. Ditëve të fundit numri mesatarë i mërgimtarëve të regjistruar për një ditë është rreth 10 mijë. Diaspora ka të drejtë të regjistrohet deri më 21 prill, ndërsa regjistrimi në terren i qytetarëve rezident nisë më 1 prill. Por a ka gjasa që sikur herën e kaluar edhe ky regjistrim të dështojë!? Zv/drejtori i Entit për statistika Elmi Selami mbrëmë në Click Plus u shpreh i bindur se ky proces do të përfundojë me sukses.
“Procesi nuk ndërpritet. Këtë që e bën diaspora do të vazhdojë ta bëjë deri më 21 prill. Ka mbaruar ajo periudhë e diskutimeve vallë a do të ndërpritet, nuk ka më kohë.
Dëgjoni thirrje për bojkot ka!
Thirrje për bojkot ka, mirëpo thirrjet për bojkot janë thirrje politike të një partie politike, agjendat janë agjenda politike. Zbatimi i ligjit, organizimi dhe zbatimi i procesit të regjistrimit janë çështje tjera. Kemi ligj që është në fuqi, në bazë të atij ligji janë paraparë afate të cilat rrjedhin”, deklaroi Selami në ClickPlus
Selami thotë se regjistrimi më lehtë bëhet nga kompjuteri se sa nga telefoni celular.
“Ju kam thënë merreni më mire laptopin ose tabletin çfarë keni, ose në kompjuter uluni sepse ndryshe funksionon nga kompjuteri, baza është më lehtë, desktopi kur do uleni e keni më mirë shikueshmërinë dhe regjistrimi bëhet shumë më lehtë në desktop se sa në telefon”, tha Selami.
Në emision u inkuadrua edhe ish kapiteni i kombëtares shqiptare, i cili u bëri thirrje diasporës që të regjistrohen.
“Secili si individ që e ka këtë mundësi të regjistrimit ta bëjë. Nëse secili prej nesh mendon se mund të bëjë diferencë si çdo lojtar i një skuadre, nëse ai e bën pjesën e tij të punës atëherë në fund ekipi jonë ka për t’i arritur qëllimet”, deklaroi Lorik Cana.
Ndryshe shumë qytetarë nga diaspora vullnetarisht kanë ofruar ndihmë për vetregjsitrimin online.
Sipas të dhënave të Entit për statistika, gjate 24 orëve të fundit janë regjistruar 8.429 mërgimtarë, ndërsa numri i përgjithshëm i të vetëregjistruarve ka arritur në 130.009.
