Sela në mbrojtje të legjitimitetit: Mickoski po godet mbi karakterin unitar të shtetit

TË FUNDIT

Mosrespektimi i legjitimitetit, sipas Ziadin Selës nga Fronti Europian, do të thotë goditje mbi karakterin unitar të shtetit. I ftuar në Daily Click, Sela shprehet se karakteri unitar nënkupton një kushtetutë për të gjithë qytetarët, ndërsa për Mickoskin, thotë se po krijon dy kategori qytetarësh.

“Nuk mund të thuash dua të ruaj karakterin unitar të shtetit dhe nga ana tjetër të krijosh dy kategori qytetarësh. Karakteri unitar i shtetit nënkupton një kushtetutë, para së cilës të barabartë duhet të jenë të gjithë qytetarët. Cilët janë këto dy kategori qytetarësh? Po i lëmë shqiptarët. Ti krijon dy kategori maqedonasish. Një maqedonas në Strumicë që ka vetëm një gjuhë zyrtare, dhe një maqedonas në Strugë, Tetovë, Gostivar e Shkup, që ka dy gjuhë zyrtare, në aspektin institucional”, tha Ziadin Sela.

Duke komentuar deklaratat e koalicionit VLEN para dhe pas zgjedhjeve, të cilët fillimisht njoftuan se nuk do të hynë në Qeveri pa ndryshime kushtetuese, e më pas që duhet t’i jepet kohë VMRO-DPMNE-së, sipas Selës, kjo është gjuhë e gënjeshtarëve.

“Shkurt e shqip, kjo është gjuha e gënjeshtarëve, e mashtruesve të pacipë. Por brenda 100 ditëve t’i duhet të japësh pjesë nga premtimet që ke dhënë para qytetarëve. Kështu që, do shohim çfarë do të bëjnë bullgarët dhe për sa kohë që nuk përcaktohet afat që brenda 100 ditëve nuk bëjmë ndryshimet kushtetuese, ose brenda 1 viti do të bëjmë ndryshime kushtetuese ose brenda dy viteve, çdo deklaratë tjetër është fytyra e gënjeshtarit”, deklaori Sela.

Sela thotë se VLEN duhej të kushtëzonte për ndryshimet kushtetuese, ose në të kundërtën ta linte Mickoskin pa partner shqiptar për në Qeveri.

“Sepse ti nuk e ke krijuar pjesën tënde të përgjegjësisë. Pse nuk e le ti në pozicionin, Hristijan Mickoskin, që të mos ketë partner tek shqiptarët për sa kohë që nuk jep pass për ndryshimet kushtetuese, le të mendonte ai se si do ta bënte qeveri pa shqiptarët. Se dëgjoj deklarata të tipit po do bënte ai me ZNAM-in. Po le ta provojë! Kur ta dijë se i gjithë faktori politik shqiptar pret anash dhe pret se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.

Sipas Selës, koalicioni VLEN në Qeverinë e re ka hyrë kokëulur dhe pa program qeveritar. VMRO-DPMNE, sipas tij, ka marrë në qeveri një parti jolegjitime dhe e ka shpërblyer me pak pushtet.