Mbi 43 kilogramë ari në vlerë2.3 milionë euro janë sekuestruar mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Personi me pasaportë serbe iu nënshtrua kontrollit të detajuar pas paralajmërimit nga Turqia prej ku edhe po udhëtonte drejt vendit tonë.
“Në valixhe e tij dhe në bagazhin e dorës janë gjetur stoli të ndryshme të arit, të paketuar në qeske najloni, ndër tjerash edhe stoli nga ari i bardhë me diamante të certifikuara. Personi paraprakisht është drejtuar në “kanalin e gjelbër” dhe nuk e ka paraqitur mallin. Personi dhe stolitë janë ndaluar përkohësisht dhe për momentin po zbatohet hetimi”- deklaroi Sllavica Kutirova, Drejtoresha e Doganave.
E pikërisht për arsye se është hapur hetim, drejtoresha nuk dha detaje nëse ky tregtim jo legal kishte destinacion final Maqedoninë e Veriut.
“Do të thotë personi ka ardhur me fluturimin e mbrëmshëm nga Stambolli në Aeroportin në Shkup, a ishte ky destinacioni do të tregojë hetimi. Në këtë moment me të vërtetë nuk do të kisha dashur të jap më shumë detaje.”- tha Sllavica Kutirova, Drejtoresha e Doganave.
Siç deklaroi Kutirova ky sekuestrimi është rekord duke qenë se gjatë tërë vitit 2022 nuk është sekuestruar ari në vlerë sa ajo e mbrëmshmja.
Përndryshe, ari i dorëzohet Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar e cila pastaj e deponon të njëjtin në Bankën Popullore deri në përfundim të plotfuqishëm të procedurave gjyqësore.