Ministria e Financave ka përgatitur propozim koncept për reformën tatimore e cila planifikohet të fillojë që nga viti i ardhshëm. Në vijim është debati me të gjitha palët e interesuara, por tashmë ka reagime nga sektori i biznesit, të cilët mendojnë se në kohë të krizës energjetike dhe ekonomike nuk është momenti i duhur për reforma të tilla.
Hotelierët thonë se pas sulmit që morën nga pandemia nuk është koha për reformën tatimore, sepse sipas tyre, këto reforma do të jenë një barrë shtesë për sektorin e turizmit hotelier.
“Të presim pak përfitime këtë dhe vitin e ardhshëm dhe të mund të mbulojmë dhe të rinovojmë gjërat që duhej të bëheshin vitet e kaluara, kjo e bënë të mundur apo jo? Dhe ja vetëm një shembull për hotelierët se kjo është një shenjë shumë e keqe, është shenjë e keqe sepse kemi filluar një trend me zhvillim, rinovim, përmasimin e infrastrukturës, flasim për objektet dhe kjo po tregohet mirë 10 vitet e fundit dhe mendoj se nuk është momenti tani që të sillen ligjet e këtilla sepse ende industrinë nuk e kemi në këmbë të shëndosha”, deklaroi Krste Blazeski, kryetar i HOTAM.
Ata mendojnë se ligje të këtilla që janë në dëm të bizneseve, sidomos bizneseve të vogla stimulojnë ikjen e popullatës nga vendi.
“I bie që ne duhet të punojmë vetëm për shtetin, e nëse punojmë vetëm për shtetin populli nuk ka asgjë është i varfër dhe thjeshtë ik jashtë. Pastaj themi pse ikin jashtë populli, a ka qenë rroga e vogël? Nuk është vetëm për rrogën“, tha Krste Blazeski, kryetar i HOTAM.
Propozim koncepti i reformës tatimore do të definohet pas përfundimit të debatit publik dhe pasi t’u prezantohet të gjitha palëve të interesuara në shoqëri. Debati publik për Konceptin e reformës tatimore, filloi në fillim të këtij muaji dhe do të zgjasë deri në mes të muajit shtator, ku si rezultat pritet të ketë propozim zgjidhje ligjore. Reforma do të zbatohet gradualisht, në periudhën kohore nga viti 2023 deri në vitin 2025. Ekspertët gjatë debateve publike kanë shprehur shqetësimin se kjo mund të çojë deri tek mbyllja e shumë kompanive, e nga ana tjetër është kërcënim edhe për rritjen e ekonomisë gri.
