Pete Hegseth, Sekretari amerikan i Mbrojtje ka folur sot në Pentagon për sulmet ndaj Iranit dhe situatën në Lindjen e Mesme. Ai tha se “nuk e nisëm ne këtë luftë, por ne do ta përfundojmë.”
Hegseth deklaroi se regjimi iranian ka zhvilluar luftë kundër SHBA-së “për 47 vite të gjata”, por pa e shpallur hapur.
“Ata e bënë këtë përmes gjakut të njerëzve tanë. Me makina-bombë në Bejrut, sulme me raketa ndaj anijeve tona, vrasje në ambasadat tona, bomba anës rrugëve në Irak dhe Afganistan të financuara dhe të armatosura nga Forca Quds iraniane dhe vrasësit e IRGC-së.”
Hegseth e quajti operacionin ajror amerikan kundër Iranit “operacionin ajror më vdekjeprurës, më kompleks dhe më të saktë në histori”.
Sipas tij Irani “po ndërtonte raketa dhe dronë të fuqishëm për të krijuar një mburojë konvencionale për ambiciet e tij të shantazhit bërthamor”.
Hegseth shtoi: “Irani kishte një armë konvencionale drejtuar ndaj nesh, ndërsa përpiqej të gënjente rrugën e tij drejt një bombe bërthamore.”
Po kështu, sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se vendi po mban zi për katër pjesëtarë të forcave të armatosura që kanë humbur jetën deri tani. “Më të mirët absolutë të Amerikës,” u shpreh ai.
“Le ta çojmë përpara pjesën e mbetur të këtij operacioni në një mënyrë që i nderon ata, pa kërkuar falje, pa hezitim, me një zemërim epik,” shtoi ai.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt ushtarëve, Pete Hegseth u tha: “Ky është momenti historik i brezit tonë që kemi pritur.”
