Pas pothuajse 2 muajve pauzë, Boki 13, sot u shfaq në Gjykatën Penale si i akuzuari i parë për mashtrim dhe larje parash në lëndën “Lidhja Ndërkombëtare”.
Për dallim nga herave tjera Jovanovski në gjykatë sot u soll nga shtëpia sepse periudhën e fundit ai ishte në burgim shtëpiak. Gjykimi u zhvillua me tensione dhe argumente midis gjykatëses dhe Jovanovskit. Jovanovski kërkoi përjashtimin e gjykatëses për shkak se sipas tij është e njëanshme gjatë gjykimit po edhe gjatë marrjes së aktvendimit.
“Largimi apo përjashtimi i gjykatësit është i lejuar dhe unë atë kërkoj. Kjo gjykatëse nuk mund të jetë e paanshme gjatë marrjes së vendimit. Jemi në procedurë gjyqësore ku edhe vetë na keni njoftuar se në fillim keni kërkuar përjashtimin tuaj nga kjo lëndë sepse veçmë keni formuar mendim nga lënda paraprake “Reket” u shpreh i akuzuar Bojan Jovanovski.
Sipas, Jovanovskit, gjykatësja Sofçe Efremova Gavrillova është nën ndikim të politikës e përveç kësaj, ai drejtoi disa akuza të tjera kundrejt gjykatëses, e për këtë gjykatësja i tërhoqi vërejtjen e ia mori fjalën.
“Ju më ndërprisni kur përmendet politika sepse jeni të udhëzuar politikisht, dhe kjo është një lëndë gjyqësore politike”, tha Jovanovski.
Kërkesën për përjashtimin e gjykatëses nga lënda, Gavrillova i kërkoi që ta dorëzoje në formë të shkruar deri tek kryetari I gjykatës Penale, Ivan Xholev.
Përderisa prokurorja Ivana Trajçeva prezantonte dëshmitë materiale, disa herë ndërhyri edhe Boki 13 po edhe babai i tij Mile Jovanovski, me arsyetmin se nuk i kuptojnë dëshmitë,
“Nuk e di sa herë duhet të ju them se nuk i kuptoj këto që i prezantoni, nuk i kuptoj dëshmitë. Si të mbrohem kur nuk kuptoj asgjë”, deklaroi i akuzuari.
Bojan Jovanovski-Boki 13 theksoi se edhe pse ka pasur presion politik ndaj tij, ai nuk i është nënshtruar kërcënimeve.Gjykatësja Sofçe Gavrillova ka qenë pjesë e Këshillit Gjykues që e dënoi Boki-13 me nëntë vjet burg në rastin “Reket”, ku u shpall fajtor për zhvatjen e më shumë se një milion eurove nga biznesmeni Orce Kamçev. Në këtë lëndë përveç Bokit-13, të akuzuar janë edhe babai i tij Mile Jovanovski, ish nënkryetarja e LSDM-së dhe ish-deputetja Frosina Remenski, bashkëpunueset e tij Jasna Mandiq, dhe Hristina Bllazheska për vepra penale “mashtrim” dhe “larje parash”.
