Seanca e tretë për “Puls”, të akuzuarit mohuan fajin: Akuzat janë konstruksion

TË FUNDIT

Seanca filloi me vonesë, por menjëherë solli tensione dhe mohim të plotë të fajit nga të gjithë 35 të akuzuarit. Asnjëri prej tyre nuk e pranoi fajin.

Momenti më dramatik ndodhi kur për fjalë u paraqit i akuzuari i parë, pronari i “Puls”, Dejan Jovanov – Deko. Ai mes lotëve para gjykatëses dhe familjeve tha se prej nëntë muajsh është i mbyllur në katër mure dhe çdo ditë e përjeton natën fatale.

Jovanov u përpoq të barazohej me dhimbjen e prindërve, duke thënë: “Edhe ne në familjen tonë kemi person të vdekur dhe të lënduar, e mbajmë të njëjtën dhimbje”. Megjithatë, kjo shkaktoi revoltë te prindërit në publik, të cilët i thanë: “Asgjë nuk di ti!”.

“Nuk mund të besoj çfarë ka ndodhur. Unë si njeri dhe prind, ku mblidheshin të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e mi, a do të isha i aftë të lejoja të mungojë diçka? A mendoni seriozisht se nëse do ta dija që mungonte diçka, nuk do të ndërmerrja gjithçka, që të largohej me kohë?” – u shpreh Dejan Jovanov – Deko – Pronar i Diskotekës Puls.

Pamjet në sallë ishin tronditëse – një nga të mbijetuarit u shfaq me kokë të fashuar, duke i shëruar ende plagët, ndërsa përballej sy më sy me të akuzuarit.

Sa i përket strategjisë juridike, mbrojtja e Dejan Jovanov bëri një kthesë të madhe. Avokatja e tij, fajtor për zjarrin e beri drejtpërdrejt grupin muzikor “DNK”.

Teza e mbrojtjes është se Dejani nuk ka ditur për piroteknikën. Avokatja tha: “Të gjithë i donim DNK, por përdorimi i piroteknikës prej tyre ka qenë kundër ligjit”. Ata pretendojnë se kur më parë është përdorur piroteknikë, Dejani gjithmonë ka angazhuar profesionist, por këtë herë është bërë pa dijeninë e tij. Mbrojtja kërkon që ai të përgjigjet vetëm për neglizhencë, sepse 13 vjet institucionet i kanë dhënë licenca dhe askush nuk i ka thënë se objekti është i pasigurt.

Për të birin e tij, Mihail Jovanov, i cili po ashtu është i akuzuar, u tha se është në gjendje të rënduar psikologjike, pasi në zjarr ka humbur të dashurën dhe shokun më të mirë.

“Që ta marrim drejtësinë në këtë rast, fatkeqësisht me një aktakuzë kaq të thatë nuk jemi në atë rrugë. Aktakuza është vetëm shenjë drejt drejtësisë, nuk është drejtësi. Me një dispozitiv të formuluar kaq kontravers dhe me një kualifikim absolutisht të pabazuar të veprave penale që u vihen në barrë të akuzuarve këtu, përfshirë Dejanin, ne mund të numërojmë vetëm vite pafund për përfundimin dhe kjo jo vetëm që do të prekë lirinë dhe të drejtat e të akuzuarve këtu, por do të zgjojë zemërim tek të dëmtuarit, të mos mashtrohemi”, u shpreh Ivana Kocevska – Mbrojtëse e pronarit të diskotekës “Puls”.

Gjykimi nuk kaloi pa skandal. Që në fillim, gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska zbuloi se gjatë kontrollit në qelinë e të akuzuarit Xhevair Kamberi, punonjës i Ministrisë së Ekonomisë, ishin gjetur 13 telefona celularë dhe një laptop.

Kamberi para gjykatës dha një arsyetim bizarr: “I gjeta aty kur hyra”, ndaj gjykatësja ashpër i tha se e pret izolimi. Kamberi akuzohet se ka marrë ryshfet për të lëshuar licencë të falsifikuar për diskotekën.

Edhe inxhinierja Milka Edrovska e mohoi fajin, e akuzuar se ka bërë projektin e rremë për diskotekën. Mbrojtja e saj pretendon se ajo është angazhuar vetëm për parkingun, ndërsa brendësinë e ka dizajnuar arkitekti Viktor Apostolov, i cili fare nuk është i akuzuar. Edrovska iu drejtua drejtpërdrejt Dekos në sallë: “Ji i sinqertë dhe thuaj a të kam bërë unë projekt për brendësinë!”

Në fund, vlen të veçohet edhe deklarata e avokatit Blagoj Jovanov, i cili kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë duke thënë: “Të gjithëve na janë duart të përgjakura sepse kemi heshtur”, duke akuzuar prokurorinë se sikur ta kishte bërë punën në vitin 2012, “Puls” as nuk do të ekzistonte.