Seanca e dytë e procesit më të madh gjyqësor për zjarrin në disko-klubin “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona. Në këtë seancë ishte paraparë që të akuzuarit të shprehen nëse ndihen fajtorë, por avokatët reaguan për shkak të bashkimit të aktakuzës fillestare me atë ndaj pronarit të kompanisë së sigurimit. Ata theksuan se vetë bashkimi ka sjellë ndryshim të akuzës dhe se të akuzuarit duhet ta marrin dhe ta shqyrtojnë atë, e më pas të deklarohen për fajësi. Avokatët shtuan se me bashkimin aktakuza është bërë kaotike, provat janë përzier dhe nuk është e qartë cila provë për cilën pjesë të çështjes vlen.
“Neve na është dorëzuar ajo aktakuzë e integruar, por asnjërit prej të akuzuarve jo. Ne si mbrojtës nuk jemi të akuzuar, ne jemi në sallë për shkak të të akuzuarve, të cilët nuk e kanë aktakuzën për të ditur pse janë në gjykatë dhe për çfarë akuzohen. Disa prej tyre janë në paraburgim, disa në arrest shtëpie. Është joserioze që Prokuroria të mos dorëzojë, qoftë edhe një aktakuzë të integruar, kur sot pritej deklarimi për fajësi. Si mund të deklarohet dikush për fajësi pa e lexuar se për çfarë akuzohet?”, tha Zvonko Davidoviq, avokat.
“Sjellja e Prokurorisë është joserioze. Joserioze ndaj gjykatës, joserioze para së gjithash ndaj familjeve të viktimave, joserioze ndaj mbrojtjes dhe ndaj të akuzuarve. Nëse lejojmë që gjithçka të kalojë siç dëshiron Prokuroria, në fund nuk do të arrijmë te ajo për çfarë të gjithë angazhohemi – që personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi dhe të pafajshmit, të cilët ka mjaft në këtë lëndë, të lirohen. Me këtë sjellje thjesht nuk i jepet shans vetë procedurës”, tha Petre Shilegov, avokat.
Edhe pse Prokuroria tha se aktakuza është e njëjtë dhe nuk ka nevojë për shtyrje, gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska e pranoi vërejtjen e avokatëve. Për shkak të shtyrjes së deklarimit të të akuzuarve, ajo tha se seanca e sotme do të shfrytëzohet për deklarimet mbi kërkesat për dëmshpërblim nga familjarët. Ata edhe sot ishin të pranishëm në sallë dhe thanë se janë të kënaqur me mënyrën si po e udhëheq procese gjykatësja.
“Prej më shumë se 8 muajsh, ne prindërit e fëmijëve të ndjerë jetojmë në agoni. Pas seancës së parë, u shfaq një shkëndijë shprese, pikërisht falë gjykatëses dhe pjesës hyrëse të prokurorëve. Ne kërkojmë vetëm drejtësi. Që nga ajo ditë e kobshme më 16 mars, në marshimet e para dhe sot, e kam thënë të njëjtën gjë: askush prej nesh s’e ka rritur fëmijën për të bërë hero, por për të bërë njeri. Fatkeqësisht, fëmijët tanë të pafajshëm, të cilët u morën jetën, paguan çmimin e këtij sistemi të korruptuar”, tha Julija Zlatkova, familjare.
Ndërkohë, para vazhdimit të sotëm të procesit për zjarrin në Koçan, lëvizja “Kush është i radhës?” realizoi një aksion gueril, duke vendosur sy të vizatuar përballë Gjykatës Penale. Mesazhi i aksionit ishte se publiku po e ndjek me vëmendje procesin dhe se të gjitha sytë janë drejtuar kah institucionet që duhet të sigurojnë një gjykim të drejtë dhe të pavarur.
